Një nga ish-themeluesit e PD, Arben Imami e sheh si emergjente ndërhyrjen e Sali Berishës për të shpëtuar partinë nga humbja e thellë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“I vetmi njeri që qëndron mbi palët është Berisha. Ka nevojë për një ndërhyrje në kuptimin nga dikush që kanë garanci të gjitha palët. Në këtë situatë përgjegjësia konkrete e morale e secilit shkon me peshën e përgjegjësinë që secili kemi në PD. Sa më e madhe pesha, aq më e madhe përgjegjësia”.
Sipas ish-deputetit demokrat, thirrja e Kuvendit kombëtar ishte një akt i detyruar nga presioni i kritikëve të Bashës, dhe në mënyrën se si është paralajmëruar, nuk do sjellë bashkimin e demokratëve por rrezikon humbjen e thellë.
“Duhej të jepte dorëheqjen për listat, për humbjen e thellë dhe mënyrën si u zgjodh. Nëse në 2019, Basha do hyjë me këtë fiolozofi, PD nuk e merr dot më veten, jo me Berishën por edhe me Pirron e Epirit. PD nuk mund t’i humbë në mënyrë skandaloze zgjedhjet e ardhshme”.
Imami nuk beson tek akuzat se lobimi i Bashës në SHBA është bërë me financime ruse, por i kërkon kryetarit të PD të ndajë përgjegjësinë e vet personale nga ajo e partisë.
Tv Klan