Ish-Kryeminstri Berisha mirëkupton kritikat e ndërkombëtarëve për vendimin ekstrem të djegies së mandateve nga opozita, por u kërkon partnerëve të njihen sipas tij me realitetin e keqqeverisjes në Shqipëri dhe kapjes së institucioneve nga mazhoranca.
“Ky është një veprim që ka një qëllim të vetëm: Mospranimin për të qenë fasadë për të keqen, por të dilet në shesh për të mbrojtur ato vlera të shoqërive të lira. U bëj thirrje të vijnë miqtë tanë, të shohin realitetin në Tiranë dhe në Shqipëri dhe i siguroj se do të gjejnë një realitet më të ndryshëm seç kanë në tavolinë. Protesta në Shqipëri, dorëzimi i mandateve është diçka e jashtëzakonshme, por në mënyrë absolute është i diktuar nga rrethana të jashtëzakonshme”.
Pas vizitës që bëri në ekpozitën e piktorit Avni Delvina, e frymëzuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, Berisha tha se po shkohet drejt konfrontimit civil dhe u bëri thirrje socialistëve që të largojnë sa më parë Kryeministrin Rama, duke e cilësuar atë rrezik kombëtar.
“U bëj thirrje socialistëve në interesin më të mirë të tyre që të largojnë me urgjencë Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti sepse e them me bindjen time më të thellë se urrejtja ndaj tij bëhet çdo ditë me e pakufishme. I bëj thirrje socialistëve të mos nënvlerësojnë situatën, sepse në mënyrë absolute ndëshkimi popullor për Edi Ramën do të jetë tepër i sigurtë. Ndaj t’i thërrasin mendjes. Situata në rrafshin social dhe politik është eksplozive. Po shkohet drejt konfrontimit civil, jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Çdo javë e Edi Ramës në pushtet është rrezik madhor kombëtar. Ik! Ik dhe vetëm ik! Dilni socialistë përzini Edi Ramën, largoni nga pushteti njeriun më të rrezikshëm pas Enver Hoxhës. Vlimi tek qytetarët është i jashtëzakonshme. Është mirë që Rama të ikë përpara se do të largohet në një mënyrë që s’e mendon dot”.
Pa ironizuar nuk la edhe argumentin e sjellë nga mazhoranca se pas dorëzimit të mandateve fshihet frika e demokratëve nga ngritja e dy strukturave të reja të reformës në drejtësi, SPAK-ut e BKH-së.
“Pa më thoni ju mua kush është më i mbrojtur? Një me apo pa imunitet”.
Cunam popullor më të fuqishëm se revolta e vitit ’91 i cilësoi dy protestat e thirrura nga opozita në 16 dhe 21 Shkurt, duke i kujtuar Kryeministrit Rama se zgjedhje me të opozita nuk do të lejojë.
Tv Klan