Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Krerët e qeverisjes vendore të Partisë Demokratike, që drejtojnë gjysmën e rretheve të vendit, kërkojnë autonominë financiare nga pushteti qendror. Diskutimet për reformën e decentralizimit, u përqendruan kryesisht tek kjo pikë, në mënyrë që të përmbushen interesat jetike të komunitetit e të përmirësohen shërbimet publike për qytetarët.

Edmond Gjoka, kryetar i bashkisë së Sarandës, kërkoi ndryshime në kuadrin ligjor, ku i jep më shumë kompetenca bashkive dhe komunave në sektorët e arsimit, shëndetësisë, urbanistikës, kulturës, menaxhimin e tokës etj.

Edmond Gjoka: “Nuk duhen vetëm akte nënligjore, duhet një ligj i ri për financat lokale dhe konsultimin e marrëdhënieve financiare midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror. Sigurisht, ajo që ne kemi shqetësim, PD e ka shqetësim të madh, se nëpërmjet kësaj ne nuk implementojmë dot ato që themi, që shërbimet ndaj publikut, ndaj qytetarëve është që ndarja, ose më mirë dhënia e pjesës së buxhetit qendror, rreth 4% është sot, që ne sigurisht që kërkohet edhe nga PD, por edhe nga ne që ajo të rritet 2-3 herë të shtohet deri në 10%. Akte të tjera ligjore dhe nënligjore të karakterit fiskal të cilat do të konsolidojnë sa më mirë pushtetin vendor, janë taksat vendore që sot lënë për të dëshiruar.”

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, decentralizimi ndodhet në udhëkryq, por për të realizuar këtë kërkohet vullnet politik. Në paraqitjen e projekt-programit të PD, u hodh ideja që mandati i të zgjedhurve të pushtetit vendor, të ndryshojë nga 3 në 4 vjet./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari