Edhe pse i frymëzuar nga nisma të ngjashme të Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën dhe Italisë me Shqipërinë kancelari Scholz u tha krerëve të 16 shteteve federale se marrëveshja mes Romës dhe Tiranës nuk mund të ishte një model për Berlinin, pasi shumica e emigrantëve të parregullt po vinin në Itali nga deti.
Ai tha se edhe marrëveshja mes Mbreterisë së Bashkuar me Ruandën nuk ishte një model i përshtatshëm, pasi Gjermanisë i duhet qe të përmbushë kërkesat e ligjeve të BE-së gjatë përpunimit të kërkesave për azil.
“Ne duhet që të negociojmë në terma konkretë me shtetet e tjera në mënyrë që të kufizojmë migrimin ilegal. Kjo vlen për rrugën e trafikimit të qënieve njerëzore nga Ballkani Perëndimor dhe ata që trafikohen nëpërmjet detit Mesdhe. Ne duhet t’i kthejmë ata njerëz që nuk mund të qëndrojnë këtu. Kjo është sfida më e madhe sepse nuk është tërësisht në duart tona që të gjejmë partnerë në botë që të na ndihmojnë të zbatojmë qëllimet tona.”
Scholz tha se do të paraqesë propozimet e tij konkrete në muajin dhjetor.
Është e paqartë nëse ka një shtet që është gati për të pranuar qindra mijëra azilkërkues nga Gjermania.
Vrasja e një polici gjerman pas një sulmi me thikë nga një burrë me origjinë afgane ka provokuar thirrje të reja për dëbimin e emigrantëve që kryejnë krime të rënda.
Po ashtu qeveria gjermane vendosi qe të shtyjë kontrollet kufitare për një periudhë më të gjatë kohore përtej kampionatit evropian të futbollit.
Klan News