Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nënshkruar me Ministrinë e Financave dhënien e një kredie të butë prej 50 milion eurosh për rehabilitimin e rrjetit rrugor në vend.
Kjo hua e siguruar është vetëm një pjesë e financimit prej rreth 400 milion eurosh që donator të ndryshëm do t’i japin për ndërtimin dhe modernizimin e 1500 km rrugë rajonale dhe lokale.
Ridvan Bode: “Kjo paketë brenda programit të rrugëve rurale prej 400 milion është pjesa që do të vendoset në efiçencë brenda vitit në vijim shumë shpejt dhe që është, i bashkëngjitet tashmë shumës prej rreth 120 milion eurosh të nënshkruar nga qeveria shqiptare me donatorët të tjerë”.
Sue Barret: “Kjo hua e çon totalin e bashkëfinancimit tonë në 170 milion euro dhe s’është i fundit financim me qeverinë shqiptare.”
Donatorët vlerësojnë se gjendja e keqe e rrugëve rurale në vend është pengesë në cilësinë e jetës për banorët në shumë fshatra apo qytete të vegjël, duke kushtëzuar edhe zhvillimin ekonomik të tyre.
Projekti për ndërtimin e rrugëve dytësore ka nisur në 2008-n nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe pritet të përfundojë brenda 2013-s./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro