Nga Lezha dhe Shkodra mesazhe paqeje e shprese për të gjithë
Besimtarët e krishterë që në orët e para të dites se sotme i janë drejtuar katedrales së Shën Nikollit në Lezhë për të bekuar ushqimin, që do të jetë në tryezën e të Dielës së Pashkës.
Simbol i kësaj feste mbetet veza e kuqe dhe buka e Pashkës.
Dom Frano me rastin e festës përcolli mesazhin për me shumë paqe dhe harmoni, duke nënvizuar se Jezu Krishti mbyti vdekjen dhe fitoi mbi vdekjen.
Dom Frano Civljak: Ai ka mundësi me na dhënë falje, shpresën që do të jetojmë përgjithmonë bashkë me Zotin. Ky është mesazhi i Jezu Krishtit për të gjithë ne të krishterët, është një çlirim…
Qytetarët e besimtarët tregojnë simbolikën e bekimit të ushqimeve duke përcjellë edhe mesazhe për paqe në botë.
“Populli mbarë katolik e feston me shumë gëzim. Për të gjitha të mirat e kohës dhe shpresën për të ardhmen.”
“Ushqimet i përdorim nesër në mëngjes e të Hënën, 3 ditë bëjmë kryq e hajmë të bekumen.”
“Na ndihmofshin, na gëzofshin përgjithmonë!”
Edhe Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Shkodrës ka dhënë një mesazh paqeje dhe shprese për të gjithë besimtarët katolikë.
Imzot Angelo Massafra: Një mesazh paqeje e shpresë dëshiroj t’ju mbërrijë ju dhe familjeve tuaja, si dhe personave të shtrenjtë që janë larg e gjenden në situata të dhimbshme e të brishta, të sëmurë, të burgosur, të varfër e nevojtarë. Një mesazh që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe na largon nga frika për të ardhmen.
Pashka është festa më e rëndësishme për të krishterët, pasi shënon ringjalljen e Krishtit, që simbolizon edhe nisjen e një jete të re.
Klan News