Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji janë tre anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese.
Në institucionin e kreut të shtetit u zhvilluan mbrëmjen e kësaj të enjteje ceremonitë e tyre të betimit para Presidentit. E para që shkoi në Presidencë ishte Elsa Toska, për të vijuar më tej me Xhaferllarin dhe Fiona Papajorgjin.
Elsa Toska është plotësimi i vakancës së parë të Kuvendit dhe zëvendëson gjyqtarin Vladimir Kristo. Fiona Papajorgji është plotësim i vakancës së dytë nga Kuvendi dhe zëvendëson ish-gjyqtarin Bashkim Dedja.
Marsida Xhaferllari do të zëvendësojë ish-gjyqtaren Altina Xhoxhaj.
Ndërkohë parlamenti do të mblidhet të premten në seancë të jashtëzakonshme, si reagim për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga dekreti i Presidentit Meta për Marsida Xhaferllarin.
Seancës i paraprin një rezolutë e miratuar në Kryesinë e Kuvendit nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, që e cilëson të pavlefshëm dekretin e kreut të shtetit, për të emëruar Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses.
Nga ana tjetër mëngjesin e të enjtes Arta Vorpsi u paraqit në Gjykatën Kushtetuese, jo më si këshilltare detyrë që e ka mbajtur deri tani, por si anëtarja më e re e kësaj gjykate.
Ajo nuk e ka bërë betimin në Presidencë, siç përcaktohet në Kushtetutë, pasi Presidenti nuk e njeh atë si plotësuese të vakancës që i takon atij.
Teksa Presidenti dekretonte Marsida Xhaferllarin për vendin e saj në këtë gjykatë, Vorpsi noterizoi pranë noteres Miranda Xhemalçe një betim që kishte bërë për të pranuar detyrën në Kushtetuese./tvklan.al