Beyoncé do të performojë në ndeshjen e NFL për Krishtlindje. Këngëtarja do të ngjitet në skenë gjatë pushimit të ndeshjes mes Houston Texans dhe Baltimore Ravens.
Ndeshja tjetër e programuar për atë ditë është Kansas City Chiefs kundër Pitssburgh Steelers. Të dyja do të transmetohen në Netflix.
Kjo do të jetë hera e parë që Beyoncé do të performojë këngë nga albumi i fundit, “Cowboy Carter” të cilin e njoftoi gjatë Super Bowl që u mbajt në muajin shkurt.
Lajmin për performancën në NFL, Beyoncé e ndau përmes një imazhi shumë të veçantë ku qëndron mbi një makinë klasike amerikane të mbuluar nga trëndafila të kuq dhe e veshur me kapelen tipike ‘cowboy’ me një top futbolli në duar.
Netflix gjithashtu ka lajmëruar se këngëtarja do të shoqërohet nga disa të ftuar specialë të albumit. Albumi i përket zhanrit country dhe në të ka duete me Miley Cyrus e Post Malone. Deri më tani dihet që është pjesë e një trilogjie që ka nisur me “Renaissance”.
Albumi është nominuar si “Albumi i vitit” në Grammy Awards 2025, por këngëtarja është nominuar edhe për 10 trofe të tjera përfshirë albumin më të mirë country dhe këngën e vitit për Texas Hold ‘Em.
Klan News