Presidenti Joe Biden u takua me familjet e atyre që humbën jetën në sulmin në Nju Orlins për festën e Vitit të ri.
Biden dhe Zonja e Parë e bënë ndalesën e tyre të parë në një përkujtimore në rrugën Bourbon, aty ku një veteran i ushtrisë kreu sulmin duke përplasur një kamion me turmën, duke vrarë 14 vetë dhe duke plagosur 30 të tjerë.
Lule dhe mesazhe të dedikuara u vendosën në trotuar për të nderuar viktimat. Më pas, ata u drejtuan për tek katedralja St. Louis aty pranë. Presidenti dhe Zonja e Parë u takuan me familjarët e atyre që humbën jetën dhe të mbijetuarit nga kjo tragjedi.
Më pas, ata morën pjesë në një shërbesë ndërfetare. Kreut të Shtëpisë së Bardhë i kanë mbetur pak ditë në detyrë, kështu që vizita e së hënës në Nju Orlins mund të jetë e fundit e kësaj natyre.
Është një detyrë solemne e presidentëve, megjithëse jo çdo udhëheqës e ka përqafuar një rol të tillë me aq ndjeshmëri sa 82-vjeçari Biden, i cili ka përjetuar shumë tragjedi personale në jetën e tij.
Gruaja e tij e parë dhe vajza e tij e vogël ndërruan jetë në një aksident me makinë në fillim të viteve 1970, dhe djali i tij i madh, Beau humbi jetën nga një sëmundje e rëndë.
Klan News