Pasi pësoi një rritje për disa javë, nafta në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një rrënie të ndjeshme me mbi 4%.
Në bursën amerikane, një fuçi naftë e papërpunuar për kontratat e Nëntorit u shit me afro 70 Dollarë nga 76 që ishte vetëm 5 ditë më parë. Vetëm në 24 orët e fundit rënia në këtë bursë ishte afro 4.5 për qind.
Nga ana tjetër në bursën e Londrës një fuçi naftë u shit me afro 74 Dollarë nga 79 që ishte pak ditë më parë.
Sipas ekspertëve kjo lëvizje në bursa lidhet me parashikimin që OPEC bëri për uljen e kërkesës globale për naftë në 2024 dhe 2025.
Një tjetër shkak që mendohet se ka ndikuar në këtë rënie të çmimit të arit të zi është zgjatja e vendimit të Tel Aviv për të goditur bazat e naftës në Iran si hakmarrje për sulmet e këtij të fundit ndaj Izraelit.
Klan News