“Përjashtojmë koalicionin me PD dhe PS”
Pavarësisht detyrimeve që përcaktojnë ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, Partia Bindja Demokratike e drejtuar nga Astrit Patozi ka vendosur të garojë me listë plotësisht të hapur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Vendimi është marrë gjatë një takimi të zgjeruar të përfaqësuesve të saj nga i gjithë vendi, ku nisi dhe rrugëtimi final drejt zgjedhjeve të 25 prillit dhe duke e konsideruar fushatë elektorale të gjithë kohën e mbetur deri ditën e votimit.
“Pranimi paraprakisht i vendimit që mandatet tona do t’i marrin vetëm ata, të cilët kanë marrë më shumë vota se të tjerët, pavarësisht renditjes në listë, është kusht i panegociueshëm për këdo që do të kandidojë me siglën e Bindjes Demokratike”.
Për realizimin e këtij qëllimi kjo forcë politike bën të ditur se do të përgatiten edhe aktet përkatëse, në mënyrë që ky angazhim të mos ketë vetëm vlerë politike, por edhe juridike.
Duke bërë përgjegjëse dy partitë e mëdha për situatën në të cilën ndodhet vendi ynë edhe pas 30 vitesh pluralizëm, Bindja Demokratike përjashton çdo mundësi bashkëpunimi parazgjedhor me to, duke i konsideruar ato kundërshtar politikë të kësaj fushate.
“Jemi të hapur të bëjmë aleanca apo koalicion me çdo forcë politike të re ose të pakompromentuar, që mbështet apo përqafon kauzën tonë për rrëzimin e kryetarokracisë, si të vetmen mënyrë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.
Bindja Demokratike vlerëson se, megjithë pabarazinë dhe kushtet diskriminuese, me të cilat po shkohet drejt 25 Prillit, ajo është e vendosur të arrijë një rezultat përcaktues në këto zgjedhje.
Tv Klan