Si në filma hollivudianë, oficeri i Policisë Shkëlqim Duka dhe vëllai i tij e kishin ndërtuar me detaje skenarin për të vrarë biznesmenin 52-vjeçar Eduard Reçi.
Shkëlqimi do ta qëllonte nga distanca, si qitës i kualifikuar që ishte, siç shihet edhe në këtë foto të gjetur në celularin e tij, ku ai po qëllon me një armë të precizionit të lartë, por që nuk është arma e krimit.
Ndërsa Florjani do të lëshonte fishekzjarre për të mbytur zhurmën e armës dhe për të tërhequr vëmendjen e biznesmenit që e kishin fqinj. Këtë skemë e kishin provuar për herë të parë më 8 Nëntor, 5 ditë perpara vrasjes.
Nga kqyrja e pamjeve filmike, ka rezultuar se efektivi i Policisë ka qëlluar ndaj biznesmenit, por predha nuk ka mundur të kapë 52-vjeçarin. Autori ishte vendosur në këto shkallë të një hoteli pranë lokalit të tij.
Vetë viktima nuk e ka kuptuar që ndaj tij është qëlluar, për shkak të fishekzjarreve të hedhura sapo ai ka dalë në oborrin përpara pallatit.
Ekzaktësisht e njëjta skemë është përdorur dhe ditën e ngjarjes më 13 Nëntor, e cila është provuar me pamje filmike nga policia dhe prokuroria. Dy vëllezërit e kishin ruajtur për 5 ditë me radhë Eduard Reçin.
Për hetuesit, shkak i vrasjes është bërë një konflikt për zhvillimin e një toke nga ana e viktimës, i cili ishte kufitar me biznesin e dy vëllezërve.
Ata nuk e kanë pranuar krimin, por Policia thotë se ka prova të mjaftueshme që provojnë fajësinë e tyre, si pamjet filmike dhe disa pjesë armësh të gjetura në një magazinë në pronësi të tyre. Arma që kreu vrasjen nuk është gjetur ende dhe dy vëllezërit kanë refuzuar të flasin përpara hetuesve.
Tv Klan