Vizita e tij vjen teksa në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të miratohet rezoluta e SHBA për armëpushim
Teksa pritet që të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rezoluta për armëpushime në Gaza, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua në Izrael me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kjo është ndalesa e fundit e Blinkenit në misionin e tij të gjashtë diplomatik në Lindjen e Mesme me synimin që t’i bindë ata të mos zbatojnë planet e tyre për një ofensivë ushtarake në qytetin jugor të Rafahut. Uashingtoni është kundër sulmit tokësor në Rafah, pasi përllogaritet që aty të jetë strehuar gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës e shpërngulur nga banesat e tyre pas luftës së ashpër hakmarrëse izraelite kundër Hamasit.
Ai tha gjithashtu se besonte se një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit mund të arrihet. Ai i bëri thirrje Katarit të kërcënojë Hamasin me dëbim nga kryeqyteti Doha në rast se grupi nuk bie dakord për një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Ndërkaq në fushën e betejës, një sulm ajror goditi një ndërtesë banimi duke vrarë 10 persona në veriperëndim të Gazës. Luftimet janë përqendruar në kompleksin spitalor Al Shifa, i cili gjithashtu po strehon qindra njerëz të zhvendosur. Izraeli ka bërë të ditur se ka vrarë qindra luftëtarë dhe ka arrestuar më shumë se 500 të dyshuar në operacionin e tij në Al Shifa, duke përfshirë 358 anëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik.
Tre komandantë të lartë ushtarakë të Xhihadit Islamik dhe dy zyrtarë të Hamasit përgjegjës për operacionet në Bregun Perëndimor të pushtuar u arrestuan, si dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë së brendshme të Hamasit.
Klan News