Masat kundër trafikut të lëndëve narkotike kanë çuar në bllokimin e dy mjeteve të tjera lundruese në Vlorë.
Gjatë ditës së enjte, autoritetet konstatuan një skaf plastik më gjatësi 5.10 metra dhe gjerësi 2.10 metra pranë rrugës Radhimë – Vlorë, në bregdet.
Mjeti me motor të markës “Ervinrude” ishte në pronësi të F.H, i cili sipas policisë, nuk dispononte dokumentacion përkatës për zhvendosjen e këtij mjeti nga Jala në Durrës, duke mos njoftuar autoritetet përkatëse. Për këtë arsye, ndaj personit në fjalë ka nisur një procedim penal.
Po gjatë ditës së enjte, në ujërat detare Hoxharë – Triport, në Radarët e Policisë Kufitare ra një gomone me gjatësi 7.52 metra dhe 3.08 metra, me dy motorë “Yamaha”, në pronësi të E.G.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se mjeti është nisur nga Porti i Durrësit pa certifikatë përdorimi nga Policia Kufitare. Edhe në këtë rast, ndaj këtij të fundit autoritetet kanë nisur një procedim penal./tvklan.al