Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, deklaruan pas mbylljes së punimeve të Asamblesë Kombëtare, se nuk do ta ndjekin mandatin e tyre siç u kërkohet nga kryetari Rama. Ben Blushi i cili në krye të punimeve të asamblesë i cilësoi të pa justifikuar arsyet që i mbajtën pothuajse për katër muaj grupin socialist të jashtë dyerve të Kuvendit, deklaroi së javën e parë të marsit do të jetë në parlament.
Ben Blushi: “Deklarova se pavarësisht nga vendimi që mund të marri grupi parlamentar, të cili nuk kam arsye ta paragjykoj, unë do jem në parlament javën e parë të marsit. Unë i bëj apel miqësisht gjithë deputetëve të Partisë Socialiste, e bëra dhe sot në asamble, që të rishikojnë me vullnet të lirë vendimin e tyre për të shkuar në parlament sa më shpejt. Sa më takon padyshim unë jam njeri i lirë, durimi im ka një fund. Nevoja për t’ju bindur një politike të mbrapsht edhe ajo ka një cak. Rruga e Partisë Socialiste ishte dhe mbetet e pasuksesshme”.
Për Ylli Manjanin mbledhja e Asamblesë Kombëtare ashtu siç është bërë tashmë traditë, u karakterizua nga mungesa e transparencës, pasi një pjesë e saj u zhvillua me dyer të mbyllura.
Ylli Manjani: “Nuk është gjë e re besoj për ju që mbledhjet e asamblesë hapen vetëm kur flet kryetari dhe mbyllen kur flasin kundërshtarët, kjo është problemi i demokracisë së brendshme në parti. Z.Rama nuk ka rrugë tjetër përveçse të bëjë këto shoë që bën këto shoë të tipit NGO ta kam thënë për fatin e keq, ku partinë e ka katandisur si Shoqatën e Rojtarëve të Pallateve pa Leje”.
Vullnetin për të hyrë në parlament e kanë shprehur më parë edhe deputetët Bello, Harasani, Islami, por nuk dihet ende sa do të jetë numri i të zgjedhurve socialist që do ti bashkohet nismës së tyre për të thyer bojkotin e vendosur nga asambleja e kësaj partie./tvklan.al