Për tre ditë më radhë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të funksionojë vetëm shërbimi i urgjencës.
Kjo pasi mjekët kanë vendosur të protestojnë kundër rasteve të përsëritura të dhunës mbi bluzat e bardha.
Protesta e paralajmëruar e mjekëve u pranua edhe nga drejtoresha e QSUT-së, e cila kërkoi mbrojtje ligjore për mjekët.
Gjeorgjina Kule: “Doja t’i drejtoj një thirrje konkrete politikëbërësve të vendit lidhur me nevojën e hartimit dhe miratimit të mbështetjes ligjore për një status të veçantë të mjekëve. Shërbimet urgjente kryhen. Këtu është shpallur një protestë e profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë. Neve në përgjithësi nuk jemi kundra grevave, por gjithnjë greva duhet bërë brenda rregullave të caktuara, brenda ligjshmërisë. Një grevë me një platformë të caktuar dhe e paralajmëruar.”
Ndryshe nga herët e tjera mjekët e QSUT-së kanë vendosur që të protestojnë në heshtje. Ata kanë lënë vendin e tyre të punës për t’u vendosur në Spitalin Ushtarak ku kanë vizituar kolegun e tyre, Agron Ylli, i cili sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak është në gjendje më të mirë shëndetësore./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami