Policë cekë në bregdet dhe grimca humoristiko-politike…?!
Ambasadori çek në Shqipëri tha sot, se këtë verë tre patrulla policie nga Çekia, do të patrullojnë në Vlorë dhe zona të tjera bregdetare, për shkak të shtimit ë numrit turistëve cekë në vendin tonë.
Të rinjtë e PD-së dhe LSI-së protestuan sot para Parlamentit me 200 palë këpucë e flamuj të vendeve të huaja, për të treguar, se kjo qeveri ka larguar të rinjtë nga Shqipëria.
Në parlament u betuan sot 6 deputetë të rinj, duke e çuar në 110 numrin e parlamentarëve.
Skandali, si u falsifikua vendimi për pronën shtetërore te Spitali i Traumës.
Emisioni “Stop” në Tv Klan ka investiguar se si një sipërfaqe shtetërore toke prej 174 mijë metra katrorë e Spitalit të Traumës, u mor nga privati. Indicia u mor nga një qytetar anonim, i cili ka qenë pjesë e administratës, dhe denoncoi pranë emisionit falsifikimin e një vendimi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t’i marrë pronën shtetërore Spitalit të Traumës.
Denoncuesi: “Unë jam një ish-punonjës i administratës publike. Kam ardhur tek emisioni juaj për të denoncuar një rast të vjedhjes së pronës shtetërore. Në vitin 2000, me vendim nr.232, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave disa trashëgimtarëve iu dha pronën që ju takonte që i kishin dhe sipas ligjit objektet që ishin tokën e tyre iu dha e drejta që me t’u privatizuar, këta do ishin të parët që do ta blinin konform çmimeve ekzistuese. Marr vesh më vonë që po ky vendim e ka ndryshuar një pjesë të vendimit duke hequr paragrafin e të së drejtës së privatizimit duke e kaluar komplet në pronësinë e tyre. Bëhet fjalë për qytetin e Tiranës tek Spitali Ushtarak, dhe një pjesë e kësaj prone është e spitalit edhe e kaluar në emër të tyre, në një kohë që vendimi origjinal e ka pasur që me rastin e privatizimit këta do jenë të parët që do ta blejnë”.
Sipas vendimit të AKKP (tashmë quhet ATP), iu kthye sipas ligjeve prona trashëgimtarëve Pazari. Një pjesë e kësaj prone ishte edhe tek Spitali Ushtarak, por në vendim theksohej qartë se kur spitali të privatizohej, trashëgimtarëve Pazari do t’u lindte e drejta e parablerjes. Nga viti 2000 e deri në vitin 2007, vendimi me 4 faqe i AKKP u regjistrua në Hipotekë me shënimin, “kur spitali të privatizohet”. Falsifikimi ndodh në vitin 2007. Faqja 3 e këtij vendimi falsifikohet dhe regjistrohet e gjithë prona shtetërore në emër të privatit.
Ish-magazina, ish-Reparti i Infektivit dhe prona të tjera që ndodheshin brenda sipërfaqes prej 174 metër katrorë të Spitalit të Traumës, tashmë i ka marrë privati dhe aty është ndërtuar parking privat dhe godina të tjera.
Ky skandal përfshin zyrtarë të Hipotekës së Tiranës, të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (që aktualisht emërohet Agjencia e Trajtimit të Pronave), Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Spitalit Ushtarak dhe Avokaturës së Shtetit. Në të gjitha gjyqet që janë bërë për tjetërsimin e kësaj prone, asnjë përfaqësues nga Spitali i Traumës nuk është paraqitur në seancë, çka do të thotë se bie teza që nuk kanë qenë në dijen.
Por nuk përfundon me kaq. Prona prej 174 mijë metër katrorë tek Spitali i Traumës që është marrë nga trashëgimtarët Pazari, është shkëmbyer me një pronë vetëm 600 metra katrorë me qytetarin Dirtan Llanaj! Për rrjedhojë, ky i fundit rezulton pronar i truallit 174 mijë metër katrorë tek Spitali i Traumës.
Rastësisht në protestë, i sëmuri mendor mbahet në burg me shkelje.
Protesta e opozitës e 13 Prillit, solli arrestimin e 37 personave për akte të dhunshme dhe tre prej tyre u lanë në burg nga Gjykata e Tiranës. Njëri prej tyre është Edmond Bushi, me diagnozën “prapambetje mendore”. Motra e 26 vjeçarit tregon, se Edmoni u gjend rastësisht në protestë.
“Gjyqtarja Armela Hasantari vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Armando Gjecaj,Edmond Bushi dhe Dainel Gjata”.
Motra e Edmondit: Vëllai im ndodhej rastësisht në protestë ku dhe e arrestuan për protestues, por ka një problem vëllai im është i sëmurë mendor ka kaluar një temperaturë dhe nuk është i përgjegjshëm për ato që bën. Këtu kam dhe një letër që e fakton, sëmundja prapambetje mendore e lehtë. Ne dërguam këtë vërtetim që tregon se ai është i sëmurë, nuk na i morën parasysh. Pra, çështja shkoi në gjykatë, ne prisnim jashtë, nuk dinim nëse kishte një psikolog, që duhet të ishte i pranishëm, një familja, sepse ai nuk di të flasë, nuk di të shkruajë. Në gjykatë na thanë, se vëllai është i dënuar tek 313 do prisni për gjyqin tjetër. Ka kaq ditë që nuk i ka pirë ilaçet, është stresuar dhe po pëson stres më të rëndë. Nuk e di si do shkojë dhe dua të dikush të mbajë përgjegjësi nëse gjendja e tij psikologjike rëndohet më shumë.
Por kjo nuk është marrë parasysh nga Komisariati i Kamzës, pasi Oficeri i Policisë Gjyqësore, Fatmir Hysa, nuk e merr për bazë vërtetimin mjekësor.
OPGJ-ja Fatmir Hysa thotë, se vërtetimin mjekësor nuk ia ka çuar familja e të akuzuarit, por motra e këtij të fundit, pohon të kundërtën .Orgesa Serani, avokate, shpjegon shkeljet, që janë bërë në këtë rast.
Fatmir Hysa: Nuk më është paraqitur…
Motra e Edmondit: Në darkë kam thënë nuk punon njeriu dhe të nesërmen ja kemi sjellë direkt dhe kanë thënë hajdeni të hënën, se nuk është shefi këtu. Të hënë kanë thënë, protestuesi është çuar i arrestuar në Gjykatë. E kam dorëzuar vërtetim në Komisariat.
Fatmir Hysa: Çfarë leverdie kam unë të mos e çoj këtë vërtetim. Nga ana e komunikimit je lart me mua dhe pastaj do më vesh para me mikrofonin, po të merrem të gjithë ditën me ty pastaj… Nëse kam bërë shkelje, do mbaj përgjegjësi unë. Keni institucione të tjera për tu ankuar.
Çështja shkoi në gjykatë dhe prej 10 ditësh Edmond Bushi vuan dënimin me burg te 313-ta, pa mundur të marrë mjekimin.