Emisioni “Stop” në Tv Klan ka investiguar se si një sipërfaqe shtetërore toke prej 174 mijë metra katrorë e Spitalit të Traumës, u mor nga privati. Indicia u mor nga një qytetar anonim, i cili ka qenë pjesë e administratës, dhe denoncoi pranë emisionit falsifikimin e një vendimi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t’i marrë pronën shtetërore Spitalit të Traumës.
Denoncuesi: “
Unë jam një ish-punonjës i administratës publike. Kam ardhur tek emisioni juaj për të denoncuar një rast të vjedhjes së pronës shtetërore. Në vitin 2000, me vendim nr.232, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave disa trashëgimtarëve iu dha pronën që ju takonte që i kishin dhe sipas ligjit objektet që ishin tokën e tyre iu dha e drejta që me t’u privatizuar, këta do ishin të parët që do ta blinin konform çmimeve ekzistuese. Marr vesh më vonë që po ky vendim e ka ndryshuar një pjesë të vendimit duke hequr paragrafin e të së drejtës së privatizimit duke e kaluar komplet në pronësinë e tyre. Bëhet fjalë për qytetin e Tiranës tek Spitali Ushtarak, dhe një pjesë e kësaj prone është e spitalit edhe e kaluar në emër të tyre, në një kohë që vendimi origjinal e ka pasur që me rastin e privatizimit këta do jenë të parët që do ta blejnë”.
Sipas vendimit të AKKP (tashmë quhet ATP), iu kthye sipas ligjeve prona trashëgimtarëve Pazari. Një pjesë e kësaj prone ishte edhe tek Spitali Ushtarak, por në vendim theksohej qartë se kur spitali të privatizohej, trashëgimtarëve Pazari do t’u lindte e drejta e parablerjes. Nga viti 2000 e deri në vitin 2007, vendimi me 4 faqe i AKKP u regjistrua në Hipotekë me shënimin, “kur spitali të privatizohet”. Falsifikimi ndodh në vitin 2007. Faqja 3 e këtij vendimi falsifikohet dhe regjistrohet e gjithë prona shtetërore në emër të privatit.
Ish-magazina, ish-Reparti i Infektivit dhe prona të tjera që ndodheshin brenda sipërfaqes prej 174 metër katrorë të Spitalit të Traumës, tashmë i ka marrë privati dhe aty është ndërtuar parking privat dhe godina të tjera.
Ky skandal përfshin zyrtarë të Hipotekës së Tiranës, të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (që aktualisht emërohet Agjencia e Trajtimit të Pronave), Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Spitalit Ushtarak dhe Avokaturës së Shtetit. Në të gjitha gjyqet që janë bërë për tjetërsimin e kësaj prone, asnjë përfaqësues nga Spitali i Traumës nuk është paraqitur në seancë, çka do të thotë se bie teza që nuk kanë qenë në dijen.
Por nuk përfundon me kaq. Prona prej 174 mijë metër katrorë tek Spitali i Traumës që është marrë nga trashëgimtarët Pazari, është shkëmbyer me një pronë vetëm 600 metra katrorë me qytetarin Dirtan Llanaj! Për rrjedhojë, ky i fundit rezulton pronar i truallit 174 mijë metër katrorë tek Spitali i Traumës.
/tvklan.al