Një nga çështjet që u diskutua në studion e “Opinion” ku mbrëmjen e kësaj të enjteje ishte i ftuar ministri Sandër Lleshaj ishte dhe makina luksoze që ky i fundit përdor.

Bëhet fjalë për një makinë BMW Seria 7, që ka krijuar debat kohët e fundit. Lleshaj deklaroi se makina që ai përdor kushton më pak se makinat që kanë drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Ministri u shpreh se makina është marrë për 49 mijë Euro dhe është tërhequr direkt nga prodhuesi i firmës në Bavari të Gjermanisë. Teksa u pyet nga gazetarja Klodiana Lala se kush ka përfituar nga kjo blerje, ministri Lleshaj tha “shteti shqiptar”.

Lleshaj u shpreh se makina është marrë me atë çmim për shkak se blerësi nuk ishte i zakonshëm, por shteti shqiptar edhe pse në realitet kushton shumë më shtrenjtë.

Ministri tha se mjeti ka një konfiguracion normal dhe për këtë sfidoi Fevziun që ta shikonte. Lleshaj tha se personalisht ka një makinë tip “Honda”.

Blendi Fevziu: Një pyetje të fundit, jeni fotografuar me një makinë shumë luksoze. Nuk po i hyj tani çështjes është e konfiskuar apo jo, por a është e drejtë që Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, një vend me këtë standard varfërie dhe jetese të mbajë një makinë të tillë luksoze.

Sandër Lleshaj: Ministri i Brendshëm mban një makinë e cila kushton më pak se shumë makina që mbajnë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Blendi Fevziu: Ky është faji i Policisë së Shtetit që nuk verifikon pasurinë e këtyre njerëzve. Ne po flasim për një simbol sepse shteti mund t’jua paguajë edhe një makinë të shtrenjtë, por flasim se a është e drejtë që ministri i Brendshëm i Shqipërisë lëviz.

Sandër Lleshaj: Ministri i Brendshëm mban atë makinë që është BMW.

Artan Hoxha: Ishte jashtë, binte në sy.

Sandër Lleshaj: E cila kushton më pak se makinat, jo të Sandër Lleshajt. Unë kam një makinë Honda, hajde shihe atje. Ministri i Brendshëm ka këtë makinë, e cila kushton më pak se makinat që kanë drejtues të Policisë së Shtetit.

Blendi Fevziu: Sa kushton? Kjo makinë kushton minimalisht 100 mijë euro, është BMW Seria 7.

Sandër Lleshaj: Mund të bëjë edhe 700 mijë euro po deshe, kjo makinë i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 49 mijë euro.

Blendi Fevziu: Ku doli 49 mijë euro? Jam i gatshëm të shkoj që nesër ta marr një makinë të tillë.

Sandër Lleshaj: Shko merre, nuk e merr dot po nuk u bëre ministër i Brendshëm.

Blendi Fevziu: A duhet të jem ministër i Brendshëm që të hipë në makinë të tillë?

Klodiana Lala: Duhet të përfitosh nga posti, këtë po na thoni zoti ministër?

Sandër Lleshaj: Ka përfituar Shqipëria se kjo nuk është makinë private zonjë. Është makinë që është marrë për shtetin shqiptar.

Blendi Fevziu: Nga është marrë makina?

Sandër Lleshaj: Është marrë direkt nga prodhuesi i tij në Bavari. Është marrë me atë çmim dhe për këtë e ndjej veten krenar.

Blendi Fevziu: Është e blinduar?

Sandër Lleshaj: Jo nuk është e blinduar. Është një makinë e thjeshtë me konfiguracionin minimal, do t’ju ftoj kur të dalim po deshe hajde shihe që të heqësh dorë…

Blendi Fevziu: Unë e di që makinat e Serisë 7 kanë një çmim që fillon nga 90 mijë euro.

Sandër Lleshaj: Po aq fillojnë, për një blerës të zakonshëm.

Klodiana Lala: Pse nuk jeni blerës i zakonshëm ju? Na e sqaroni…

Sandër Lleshaj: Sepse është shitur për Ministrin, jo për një individ. Është blerë tek prodhuesi moj zonjë, jo tek koncesionari.

Klodiana Lala: Prodhuesi ju ka favorizuar se nuk po e kuptojmë.

Sandër Lleshaj: Prodhuesi favorizon një kategori klientësh. Edhe po të isha ministër i Brendshëm i Maqedonisë do ta merrja./tvklan.al