Zv/presidenti i grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda, qëndrimin e tij kundër bojkotit të opozitës e ka shprehur edhe më herët.

Në një intervistë për Deutsche Welle në shqip, të datës 5 shkurt, Swoboda thotë:

Hannes Swoboda: “Në radhë të parë dua të them që ne jemi kundër bojkotit parlamentar. Deputetët janë zgjedhur që të marrin pjesë në parlament. Këtë e kemi thënë  edhe kur partia e Berishës e bojkotoi parlamentin. Këtë e themi edhe tani. Berisha dhe qeveria e tij duhet të bëjnë propozime për partinë socialiste në opozitë dhe opozita duhet të mundohet që të kthehet në parlament me një strategji për të bërë një opozitë të fortë. Dhe roli i opozitës është në parlament.”

Ndërsa i pyetur nëse është e mundur hapja e kutive, ai thotë në mënyrë të qartë se nëse gjykata ka vendosur për jo, atëherë vendimi i saj duhet pranuar.

Hannes Swoboda: “E mundur është gjithçka në se njeriu do, por në qoftë se gjykata ka vendosur se nuk ka diçka për t’u korrigjuar, atëherë vendimi i saj duhet pranuar, megjithëse njeriu nuk është i kënaqur. Sido që të jetë, grupet e mëdha duhet të shohin se si mund ta kapërcejnë këtë krizë. Kjo nuk mund të kalojë në qoftë se qeveria qëndron vetëm në pozicionet e veta dhe opozita në të sajat, por duhet të gjendet një kompromis i përbashkët.”

Për më tepër, në këtë intervistë ai thekson se bojkoti i parlamentit është një dëmtim i imazhit të Shqipërisë.

Hannes Swoboda: “Çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të shtetit para BE-së. Kjo është më se e qartë. Veçanërisht në një kohë kur diskutohet për çështje  të mëdha siç është liberalizimi i vizave, për bisedimet për anëtarësimin në BE. Është mirë për një vend që për çështje të rëndësishme të gjejë konsensus. Ka shumë tema për konflikte, por për sa u përket çështjeve të rëndësishme duhet konsensus i grupeve të mëdha parlamentare.”

Të njëjtin qëndrim Hannes Swoboda e ka shprehur edhe gjatë takimeve që zhvilloi në Bruksel me deputetë socialistë të grupuar në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, si dhe në një intervistë për TV Klan të marrë në Janar të këtij viti.

Hannes Swoboda: “Të gjithë anëtarët e partisë që janë zgjedhur si deputet duhet të futen në parlament dhe të bëjnë punën e tyre si opozitë. Një opozitë nuk mund të jetë e tillë jashtë parlamentit. Kjo nuk është në përputhje me parimet demokratike. Edhe nëse ka ankesa për manipulime apo shpërdorime të zgjedhjeve, janë instancat gjyqësore ato që vendosin për gabimet që janë bërë dhe organizatat ndërkombëtare.”/tvklan.al