Tensionet mes Rusisë dhe disa vendeve të Bashkimi Europian, SHBA-s, Australisë dhe Japonisë duket se çdo ditë dhe më shumë po rriten. Pas dëbimit të 123 zyrtarëve rusë në kuadër të reagimit global ndaj helmimit të ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Salisbëri, disa shtete po planifikojnë të bojkotojnë marrjen pjesë në ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës në 14 Qershor në Moskë.
“The Sun”, shkruan se gjashtë vende janë duke planifikuar t’i hedhin ftesat e tyre nga Moska.
Zyrtarët nga Polonia, Islanda, Danimarka, Suedia, Australia dhe Japonia janë të gatshëm të mos shkojnë në Moskë.
“Stuhitë” nisën pasi javën e kaluar kryeministrja Britanike Theresa May tha se ajo dhe ministrat e saj të qeverisë si dhe Princi William nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës.
Presidenti polak Andrzej Duda ishte kreu i parë botëror që mbështeti vendimin e Kryeministres britanike.
E gjithë kjo situatë nisi pas sulmit me gaz nervor në 12 Mars të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Salisbëri. Koloneli Skripal u dënua në vitin 2006 me 13 vite burg nga Moska për tradhti kombëtare, i akuzuar si agjent i dyfishtë.
Rusia e ka mohuar gjithmonë përfshirjen në këtë ngjarje.
/tvklan.al