Brajan Gruda do të vazhdojë karrierën në Premier League. Sulmuesi me origjinë shqiptare, do të transferohet te skuadra e Brighton, duke mbyllur kështu aventurën te Mainz në Gjermani.

Dy klubet kanë arritur marrëveshjen mes tyre, për shumën e 30 milionë eurove. Në orët e ardhshme, Gruda do të udhëtojë drejt Anglisë, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën me skuadrën e re.

Për 20-vjeçarin kjo do të jetë aventura e parë jashtë Gjermanisë, pasi ka dalë nga të rinjtë e Mainz. Me skuadrën e Bundesligës, sulmuesi anësor shkëlqeu në sezonin e fundit, duke bërë që në gjurmët e tij, të vihen disa nga klubet e mëdha europiane.

Më herët është përfolur për një interesim nga Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Bayer Leverkusen në Gjermani, por klubet e përmendura nuk përmbushën kërkesat financiare.

Drejtuesit e Brighton u treguan më të shpejtë, duke mbyllur marrëveshjen për 30 milionë euro, ndërsa vetë Gruda beson se te ky ekip do të ketë më shumë hapësira për të treguar aftësitë e tij.

Sulmuesi ishte një dëshirë e trajnerit Silvinjo, që dëshironte ta kishte te Kombëtarja shqiptare, por nuk ia arriti dot, pasi Gruda dëshiron të luajë për përfaqësuesen e Gjermanisë. /tvklan.al