Shqipëria nuk është ende shumë e njohur në mesin e turistëve evropianë, por mund t’i ofrojë çdo vizitori gjithçka të ngjashme si Kroacia, Italia apo Spanja.
Për faqen britanike të udhëtimeve “Breaking Travel News” vendi ynë konsiderohet si një nga destinacionet më të lira në Evropë, ndaj edhe turistët me buxhet të kufizuar mund të kalojnë pushime perfekte.
Shqipëria është një vend i vogël, por ajo ofron shumë vende unike në territorin e saj. Një nga vendet më të bukura të Shqipërisë është Parku Kombëtar i Butrintit. Në Butrint, turistët mund të njohin një pjesë të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike. Butrinti ka gjithashtu shumë vende unike natyrore. Sa i përket vendeve historike edhe Kalaja e Beratit është një objekt unik arkitekturor.
Përmes Kalasë turistët mund të admirojnë peisazhin fantastik dhe të shikojnë qytetin e Beratit nga një kënd i lartë. Pjesë e sugjerimeve është edhe riviera shqiptare ku udhëtarët e huaj do të gjejnë plazhe të shumëllojshme dhe të bukura. Përgjatë bregdetit, ka shumë kafene dhe restorante të vogla ku mund të provoni gatimet kombëtare shqiptare dhe ushqimet e freskëta të detit me çmime të lira. Sa i përket bukurive natyrore, “Syri i Kaltër” është një tjetër perlë e turizmit shqiptar. E cilëson një burim përrallor i cili është i rrethuar nga të gjitha anët me shkëmbinj.
Në përfundim të artikullit rekomandon turistët të vizitojnë Tiranën. Kryeqyteti i Shqipërisë ka gjithmonë diçka për të parë dhe bërë përmes teleferikut të Dajtit turistët do të kenë mundësinë të shohin Tiranën së bashku me bukuritë natyrore.
Klan News