Vota pro e irlandezeve për traktatin e Lisbonës qetësoi politikbërësit evropiane pasi kaluan një ngërç, dhe nga ana tjetër është mirëpritur dhe nga vendet e Ballkanit perëndimor pasi rrezon çdo mëdyshje mbi planet e përfshirjen së tyre në BE.

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një interviste për Televizionin Klan e ka cilësuar këtë moment si pozitiv për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Majlinda Bregu: “Është një lajm i përkryer dhe një lajmë shumë optimist edhe për të gjitha vendet e rajonit tonë që kanë mundësi të shohin një perspektivë të qartë të mirë përcaktuar të zgjerimit, pra të integrimit në BE. Kjo do të thotë që edhe për ata skeptik që ekzistonin në Evropë, ka mundësi që të gjithë së bashku të ofrojnë dhe të zgjidhim problematikat brenda një kuadri tani të përcaktuar mirë ligjor. Pra besoj që ajo çka është me rëndësishme për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit, është pikërisht perspektiva e qartë dhe e forcuar e zgjerimit. Duke respektuar të gjitha kriteret të cilat le të themi procesi i zgjerimit dhe i integrimit në BE vë para vendeve tona, por të paktën nuk ka asnjë pikëpyetje dhe nuk ka më asnjë surprizë apo dyshim se rruga drejt BE-së dhe anëtarësimit të plotë  tani sigurisht që do të jetë më e sigurt dhe më e shkurtër”.

Një vote kundër e irlandezeve përveçse do të ishte një dhimbje koke për Brukselin, do të hiqte nga tavolina e punës, të paktën për momentin, çështjet që lidhen me zgjerimin e bllokut.

Majlinda Bregu: “Në qoftë se do të kishte qenë një votë e kundërt sigurisht që do të kishte qenë le të themi një fatkeqësi e madhe për të gjitha ven det e rajonit, sepse është krejtësisht e pamundur që të dialogësh, është krejtësisht e pamundur që të kërkosh të jesh një nga vendet e BE-së në një vend i cili… në një bashkim i cili vitet e fundit kishte filluar të ndjente lodhjen, kishte filluar të ndjente impasin, kishte filluar të ndjente bllokimin e vendimmarrjes dhe pikërisht në qoftë se do të kishte një bllokim vendimmarrje nga 27 vendet anëtare të bllokut, do të kishte qenë shumë e vështirë për Shqipërinë, do të kishte qenë shumë e vështirë për t’i bindur 27 vendet e BE-së që procesi dhe momenti i hyrjes dhe i anëtarësimit në BE është jetik për ne. Pra mungesa e vendimmarrjes, bllokimi i vendimmarrjes sigurisht që do të vononte, do të sillte pasoja shumë të rënda për të gjitha vendet të cilat janë pjesë dhe kërkojnë të jenë pjesë e një bashkimi evropian”.

E me hapjen e kësaj drite në rrugën e integrimit, Shqipërisë i duhet të vijoje me intensitet detyrat e shtëpisë.

Majlinda Bregu: “Ne na takon që të jemi njësh dhe të lëvizim paralel, pra pikërisht me këtë festë të krijimit dhe të pasurit e një ideje të qartë se çfarë do të ndodh tani me Evropën, me të gjitha detyrimet dhe reformat tona së brendshmi të cilët janë tani le të themi pika kryesore dhe ingredienti kryesor edhe për të përshpejtuar afrimin tonë me Evropën”./tvklan.al Gazetari: Fjorald Zguro