Në programin “Rudina”, në Tv Klan ditën e sotme ishte i ftuar këngëtari i njohur i muzikës popullore shkodrane, Bujar Qamili.
Ai prezantoi në studio bashkëpunimin e parë me djalin e tij, Artionin. Bëhet fjalë për këngën “Goca gjithë lezet”, videoklipi i së cilës është realizuar në Tiranë.
Këngëtari tregoi se kur e dëgjoi këngën që djali i tij kishte bërë, i pëlqeu dhe vendosi ta këndonte.
Bujar Qamili: Djali më pati thënë: Babi të kam bërë një këngë. Unë i dija pak a shumë aftësitë e tij deri kur mund të mbërrijnë, edhe i thashë: Mos është këngë Shkodrane, e bukur, që të futet në repertorin e këngëve të mia. Më tha të them të drejtën nuk kam hasur melodi shkodrane, por kam hasur atë që kërkohet sot, me një fjalë diçka të bukur, diçka ritmike, rinore, hit për verën. I thashë ta dëgjojmë. E dëgjova herën e parë, e dëgjova herën e dytë. Nuk është se e kishte bërë djali dhe unë ta bëj për hatër të tij. Mirëpo më pëlqeu kënga dhe i thashë do ta bëj.
Rudina Magjistari: Ky është bashkëpunimi yt i parë me djalin?
Bujar Qamili: Ky është bashkëpunimi i parë dhe unë prandaj i dhashë më shumë rëndësi se sa duhet. Unë e kisha për krenari sot të vija këtu dhe ta promovoja këngën për herë të parë. Kjo është hera e parë që dal në një studio dhe diskutoj për këngën dhe kjo ishte kënaqësi e imja që të jem në mesin tuaj./tvklan.al