Bullizmi online do të përfshihet në Kodin Penal. Është kjo nisma e aleancës së grave deputete në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkohet që bullizimi online dhe dhuna psikologjike të përfshihen në Kodin Penal. Deputetja socialiste, Etilda Gjonaj thotë se synimi i këtyre ndryshimeve është të mbrohet figura e gruas dhe ajo e të miturve.
“Duam të ndërmarrim një nismë për aspektet ligjore që lidhen jo vetëm me dhunën psikologjike e cila sot në Kodin Penal mungon, por edhe disa parashikime ligjore të cilat lidhen me dhunën digjitale, që vijnë nga rrjetet sociale, komente të ndryshme që mund të bëjnë qytetarët, por krijojnë pasoja për jetën, pasoja psikologjike për gruan, apo edhe për të miturit nëse do e shikojmë më të shtrirë. Se duke mos pasur një parashikim ligjor e bën më të vështirë klasifikimin në atë vepër penale të duhur. Aspekti tjetër lidhet me marrëdhëniet civile administrative, që do të thotë duam ta shikojmë më gjerë jo vetëm me ndryshim të Kodit Penal që gruaja të jetë e mbrojtur, jo vetëm me vepër penale, por edhe masa administrative dhe institucionale dhe që të ketë mundësi të vendosë në vend të drejtën e saj kur është viktimë e dhunës digjitale apo psikologjike”.
Gjonaj thotë se për këtë nismë janë marrë praktikat më të mira nga disa vende në Europë.
“Ne po studiojmë praktikat më të mira të vendeve të Europës dhe be e cila ka nxjerrë së fundmi një direktivë ku lidhet me dhunën digjitale. Janë shumë vende që e kanë përfshirë bullizimin kibernetik, digjital. Franca ka një ligj specifik, Irlanda ka një ligj specifik për bullizimin kibernetik”.
Por për penalistët, kjo nismë ligjore cenon parimin e sigurisë juridike dhe rrezikon dënimin e shumë individëve.
“Rrjetet sociale nuk janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë si persona juridik, pra nuk kanë asnjë të drejtë apo detyrim me të cilat flasim personat që kanë hyrë në platformat e tyre. Do cenohej parimi i sigurisë juridike, që është parimi bazë, do cenohej parimi i lirisë së shprehjes dhe standardi i provueshmërisë i që do përcillet në të gjitha gjykimet analoge. Ne nuk kemi gjykatë, prokuror, avokat, që merren me këto çështje sepse duhet të dalë e vërteta, për të dënuar një person për të nxjerrë të vërtetën”, thotë avokati Ylli Kameri.
Sipas juristëve, dhuna kibernetike mund të gjykohet nga Kodi Civil.
“Këto marrëdhënie virtuale mund të gjykohen nga Kodi Civil, sepse i parashikon pasojat me anë të shpërblimit të dëmit dhe e dyta përgënjeshtrimi i publikimeve mashtruese ku ne i kemi zero gjykimet në gjykatë përsa i takon rrjeteve sociale. Është një vepër penale e përgjithshëm siç është fyerja dhe shpifja e cila në rastet se ke publikuar elemente bullizuese që cenon dinjitetin e një personi, përmes kësaj vepre gjykata është e detyruar të ndërhyjë”, shton ai.
Aktualisht rastet e bullizimit online, kryesisht për të mitur, trajtohen si vepra penale të falsifikimit kompjuterik dhe përndjekje dhe që dënohen nga 6 muaj deri në 6 vite burg. Por në asnjë rast deri më sot nuk kemi dënime, por vetëm këshillim në prani të prindërve.
Tv Klan