Teknologjia dhe rrjetet sociale kanë shtuar forma të reja të dhunës. Gjendur përballë kësaj situate, aleanca e grave deputete së bashku me ministritë kryesore propozojnë një iniciativë ligjore për dhunën që ushtrohet në internet, e cila do të depozitohet në Kuvend brenda muajit Dhjetor.

Sipas Direktivës së BE-së rekomandohet që autorët e veprave penale në internet të dënohen minimalisht me një vit burgim.

E pranishme në diskutime në Kuvendin e Shqipërisë ishte edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila bëri thirrje edhe për më shumë veprim.

“Sa i përket sulmeve me bazë gjinore i kemi çdo ditë, jemi të gjithë të ekspozuar, çështja është çfarë bëjmë ne së bashku”, tha ajo.

Në fjalën e saj Balluku solli si shembull edhe dhunën ndaj grave të parlamentit.

“Nxjerrin ndër vite pamje të ndryshme, po pse kujt duhet ti marrim leje kur shëndoshemi apo kur dobësohemi… dhe e gjitha kjo transmetohet në mediat sociale, të cilat nuk kanë filtër”, tha Balluku.

Studimet e agjencive të kombeve të bashkuara kanë treguar se 41% e grave shqiptare aktive në internet kanë përjetuar minimalisht një nga format e dhunës në hapësirën digjitale.

Tv Klan