Ministria e Drejtësisë propozon ndryshime në Kodit Penal
Me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e rrjeteve sociale, është përhapur po me shpejtësi edhe shpërndarja e materialeve të ndryshme të montuara, foto apo video, për të sulmuar apo ironizuar personazhe apo institucione.
Janë disa nga ato që në gjuhën e internetit quhen “meme”. Por tani, publikimi i këtyre materialeve, nëse nuk do të thuhet dukshëm se janë montazhe, shumë shpejt mund të përbëjë vepër penale. Ministria e Drejtësisë, në një draft për ndryshimet ligjore në Kodin Penal, kërkon që publikimi i këtyre materialeve të dënohet deri në 1 vit burg. Ndjekja penale do të fillojë me një ankim të personit që ka qenë objekt i montazhit apo memes dhe do të pushojë nëse personi tërhiqet.
Ndryshime kanë pësuar edhe parashikimet për veprat penale të narkotikëve.
Aktualisht Kodi Penal ka dënimin me 5 vite burg si minimalin për mbajtjen, shitjen dhe trafikimin e kanabisit, ndërsa me ndryshimet e hartuara parashikohet 2 vjet burg ndërsa si dënim maksimal 5 vjet.
4 vite parashikohet tani për mbajtjen, shitjen dhe trafikimin e heroinës si dënim minimal, ndërsa për kokainën 5 vite.
Një tjetër risi që sjellin këto ndryshime është edhe ajo që ka të bëj me mosndjekjen penale të personave përdorues të kanabisit të cilët mbajnë me vete me pak se 10 gramë.
Drafti Kodit të ri Penal parashikon rritje të dënimit edhe për veprën e korrupsionit. Kështu për korrupsionin aktiv parashikohet dënim 3-7 vitet burg, ndërsa për korrupsionin pasiv parashikohen deri në 12 vite heqje lirie.
Tv Klan