17 prej 19 të arrestuarve gjatë operacionit tempullit të premten, u lanë në burg nga Gjykata e Tiranës. Arrestimi i tyre u cilësua i ligjshëm, ndaj do të hetohet me masë sigurie shtrënguese. Gjykata e Tiranës ka lënë në burg të arrestuarit gjatë operacionit “Tempulli” në Tiranë.
Ndalimi i tyre u vlerësua i ligjshëm nga gjyqtarja Armela Hasantari, e cila vendosi që të pandehurit të qëndrojnë në masë sigurie arrest në burg. Gjatë operacionit u sekuestruan 1.2 kilogramë kokainë, qindra doza heroinë dhe kanabis, 12 celularë, 5 automjete, shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Gjatë operacionit u shpallën në kërkim edhe 5 persona të tjerë.
Zbulimi i aktivitetit të tyre u bë pas 3 muajsh hetime nga sektori për hetimin e antidrogës në policinë e Tiranës. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.
Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për zonën e Myslym Shyrit, Tiranës së Re dhe Zogun e Zi. Lidhur me këtë hetim, policia dhe prokuroria e Tiranës po kryejnë verifikime për persona të tjerë të përfshirë, si dhe vendin nga vinte lënda narkotike. Dyshimet e hetuesve të antidrogës janë se një pjesë e konsiderueshme e saj vinte nga qyteti i Fierit.
Klan News