Një 28-vjeçare është dhunuar brutalisht nga bashkëshorti i saj, në ambientet e shtëpisë e tyre në qytetin e Maliqit. Sipas informacioneve të gazetares Daniela Zisi, çifti kishte patur një debat verbal dhe më pas bashkëshorti Emanuel Zyfi ka goditur me grushta bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Në konflikt, i cili dyshohet të jetë për motive xhelozie, është përfshirë edhe vjehrri i të resë, Trëndafil Zyfi, i cili gjithashtu bashkë me të birin ka ushtruar dhunë ndaj 28-vjeçares.
Fqinjët kanë dëgjuar të bërtiturat e së resë dhe kanë njoftuar policinë e Maliqit, e cila në pak minuta ka hyrë në banesë duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, i cili mund të kishte patur edhe pasoja më të rënda për të renë.
Policia ka arrestuar në flagrancë bashkëshortin 31-vjeçar Emanuel Zyfi, i skeduar nga policia si përdorues i lëndëve narkotike, dhe ka proceduar në gjendje të lirë babain e tij Trëndafil Zyfi, ndërkohë që 28-vjeçarja u pajis me urdhër të menjëhershëm mbrojtje.
Në harkun kohor të 24 orëve, ky është rasti i dytë i dhunës brutale ndaj grave në juglindje.
Klan News