Lajme Arkiva 2003
Buxheti 2004 pritet të jetë një sfidë për qeverinë, opozita ka deklaruar votën kundër me argumentin se shpenzimet për administratën shtetërore janë shumë të larta, ndërsa një pjesë e mazhorancës e ka konsideruar buxhetin 2004, buxhet aritmetik që rregullon parashikimin në shifra, por nuk stimulon politika zhvilluese. Ligji më i rëndësishëm financiar rrezikon gjithashtu të mos administrohet në kohë, për shkak se është dërguar me vonesë në kryesinë e kuvendit.
Kësaj panorame i shtohet edhe sfida e të ardhurave. Doganat do të humbasin të ardhurat nga reduktimi i tarifave doganore si dhe marrëveshjeve të tregtisë së lirë, si pasojë e detyrimeve politike me bashkimin evropian dhe OBT-në ndërkohë që mbledhja e të ardhurave do i ngarkohet tatimeve, e cila për herë të parë do të mbledhë më shumë se 50% të parave të buxhetit të shtetit.
Strategjia e zëvendësimit do të bazohet te rritja e taksave të lojërave të fatit dhe sistemi i ri i taksave për rrugën Durrës- Kukës, si akciza e Naftës dhe taksa mbi automjetet.
Mbledhja e këtyre të ardhurave do të jetë një sfidë e mundimshme duke pasur parasysh se tatimet janë konsideruar vazhdimisht nga institucione ndërkombëtare si administrata të dobëta.
Konkretisht për vitin 2003 tatimet kanë regjistruar një deficit prej 2 miliardë Lekësh. Edhe sfondi buxhetor i vitit që lamë pas regjistron investime të ulëta, deficite të larta në organet taksambledhëse, rritje të ulët të pagave etj, që vë në dyshim mbi të gjitha rritjen ekonomike./tvklan.al