Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm alternat të Greqisë, Varvitsiotis. Përmes një postimi në Twitter, Cakaj bën me dije se kanë diskutuar për lehtësimin e kalimit kufitar në Kakavijë.

“Duke respektuar të gjitha masat dhe forcimin e grupeve që punojnë në kufi, ne jemi duke ndjekur vazhdimisht situatën për të lehtësuar ngarkesën në kufi”, shprehet ai.

Si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus në Shqipëri dhe Greqi, autoritetet greke kanë vendosur që të zhvillojnë testime masive për udhëtarët që kalojnë kufirin.

MEPJ deklaroi më herët se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjienosanitare.

Ndërkohë në Kakavijë gjatë orëve të pasdites mbërriti edhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si dhe drejtori i AKMC, Haki Çako. Ata u takuan me kryebashkiakët e Gjirokastrës e Dropullit, prefektin dhe drejtuesit e policisë së qarkut.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se efektivë të Batalionit të Mbështetjes Rajonale të FA në Gjirokastër janë në afërsi të Kakavijës, ashtu sikurse edhe një automjeti i posaçëm me 10 mijë litra ujë. Drejt Kakavijës shkuan edhe autoambulancat e Forcës së Armatosur, në mbështetje të ekipeve mjekësore të urgjencës, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar./tvklan.al