Britania e Madhe do të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm. Ish-kryeministri britanik David Cameron, Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, pritet të vizitojë Tiranën në 22 Maj.
Sipas ambasadës britanike në Tiranë, kryediplomati Cameron do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me Presidentin, Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar.
“Ai do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Ai ka në plan për të deklaruar edhe një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës me shqiptarët që ende vijojnë të synojnë kalimin illegal drejt Britanisë së Madhe.”
Ndërkaq vetëm disa ditë më parë kryeministri britanik bisedoi me homologun shqiptar. Sa i takon emigrantëve, të dyja palët nënshkruan në muajin dhjetor 2022 marrëveshjen për të përshpejtuar riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Rishi Sunak ka vlerësuar marrëveshjen e deportimit me Ramën sipas së cilës mijëra shqiptarë janë kthyer në vendin e tyre të origjinës. Burime të qeverisë britanike theksuan se Britania e Madhe po udhëheq një fushatë të gjerë në trajtimin e migracionit të paligjshëm në bashkëpunim jo vetëm me Shqipërinë, por edhe shtetet e BE-së. Para vizitës në Tiranë, Cameron ka vlerësuar faktin se 19 shtete të BE-së pranojnë se zhvendosja e azilkërkuesve drej shteteve të treta si ato ballkanike apo në Afrike është e vetmja mënyrë për të ndalur kontrabandën e bandave kriminale me njerëz të pafajshëm. Vizita e Shefit të Diplomacisë britanike vjen pas turit që ai zhvilloi para disa ditësh në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, një rikthim i vëmendjes së Londrës ndaj rajonit tonë.
Paralelisht me Cammeron, kryeministri Sunak do jetë në Vjenë ku me kancelarin Karl Neimaher do të diskutojë masat ndaj kontrabandës së qenieve njerëzore. Ai do të propozojë veprime më të ashpra për të mbrojtur kufijtë e Evropës nga kriza e migracionit ilegal. Disa ditë më parë, kryeministri Rama pati një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak, i vënë nën presion nga opinioni publik dhe të tijtë brenda Partisë Konservatore për mos ndalimin e kalimeve me gomone të azilkërkuesve ilegal në ngushticën e Lamanshit.
RISHI Sunak i ka paralajmëruar kundërshtarët e tij politikë se siguria e Britanisë së Madhe do të ishte në “rrezik” nëse dështon plani për transferimin e azilkërkuesve që janë aktualisht në territorin britanik drejt Ruandës. Udhëtimi i kryeministrit Sunak në Vjenë dhe ministrit të tij të Jashtëm Cammeron në Tiranë vijnë ndërkohë që një numër në rritje shtetesh në mbarë botën deklarojnë se duan të ngrenë skemat e tyre për deportimin e azilkërkuesve sipas stilit britanik me Ruandën. Edhe kandidati për president Donald Trump dëshiron një program për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm nëse ai zgjidhet President i SHBA-së në muajin nëntor të këtij viti.
Klan News