Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Grupe parlamentare shprehen, se mos dekretimi i projektligjit të pronave nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, do të ishte një zgjidhje e duhur për të arritur konsensusin e të gjitha forcave politike dhe mirëkuptimin e gjerë shoqëror. Kryetari i Aleancës Demokratike Neritan Ceka, mendon se PS dhe PD, duhet të heqin dorë nga mania për të pasur nën kontroll komisionin për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Neritan Ceka: “Kompromisi më i mirë është që të dy partitë e mëdha të hiqni dorë nga dëshira për ta kontrolluar nëpërmjet kryetarit këtë komision dhe kjo t’i lihej Presidentit të Republikës”.
Ndërsa deputeti i PBDNJ Ligoraq Karamelo shprehet, se projektligji i pronave ka nevojë për t’u riformuluar në katër nene të tij, siç janë çështja e kompensimit në masën 60 hektarë, fshatrat turistikë, trualli i banesave dhe drejtimi i komisionit.
Ligoraq Karamelo: “Presidenti duhet të rikthejë ligjin e pronave për rishqyrtim në parlament, sepse është një projektligj i cili u miratua, ose u votua pa prezencën e opozitës në parlament, pa konsensusin e palëve të cilat kishin marrë përsipër të hartonin këtë, pa konsensusin e shoqatës Pronësi me Drejtësi”.
Gazetarja: Nëse rikthehet ky projektligj, ka nevojë vetëm për t’u rivotuar apo për t’u riformuluar edhe njëherë?
Ligoraq Karamelo: “Besoj që janë 3-4 nene të cilat duhet të rishiten”. Ka disa ditë që presidenti Moisiu po kryen konsultime me krerë partish, për gjetjen e rrugës konsensuale, që më pas projektligji i pronave të mos ngrejë probleme sociale dhe vështirësi në zbatimin e tij./tvklan.al