Ngjarjet kriminale në këtë qytet, vetëm maja e ajsbergut
Ka qenë i drejpërdrejtë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela teksa ka pranuar përpara prokurorëve të Elbasanit nivelin e frikshëm të kriminalitetit në këtë qytet, duke pohuar se krimi i organizuar e ka nënshtruar dhe po kontrollon jetën e kësaj zone.
“Në Elbasan po vihen re shenja të qarta të kontrollit të elementëve kriminalë mbi territorin, si dhe mbi jetën ekonomike të qytetit. Kërkoj një vëmendje të veçantë dhe një përgjigje ekzemplare nga ana e strukturave të shtetit”“Niveli i krimit të rëndë dhe të organizuar në Elbasan po rritet. Po vihet re se krimi po kontrollon qytetin dhe jetën ekonomike. Kërkojnë vëmendje të veçantë dhe përgjigje ekzemplare nga shteti”.
Bandat po përplasen për të kontrolluar territorin, tha kryeprokurori, duke pohuar se ngjarjet e fundit kriminale tregojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që po ndodh.
“Nuk mundet që të tolerohet që në një qytet të kthehet në skenë të luftës mes bandave për kontrolle territori apo për shtimin e influencës. Këto janë ngjarje të cilat në fakt ndoshta janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që çfarë ndodh realisht në qytetin e Elbasanit, apo edhe më gjerë. As Elbasani dhe as një qytet tjetër i Shqipërisë, nuk mund të kthehet në kontroll të grupeve kriminale. Kjo nuk mund të lejohet, asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë sesa shteti. Për këtë arsye, unë vlerësoj dhe gjykoj se është e domosdoshme që si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, niveli i bashkëpunimit, i organizimit të ngrihet në nivele të tjera. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Perspektiva e të rinjve të Elbasanit nuk mund të jetë ajo e rekrutimit nga bandat, që duan të kontrollojnë qytetin. Kjo është e pafalshme. Shqipëria, aq më tepër Elbasani, nuk mund të kthehet në një model të Siçilisë së viteve 70-80“.
Disa ngjarje kriminale me viktima kanë tronditur qytetin e Elbasanit kohët e fundit, ndërsa në qytet kanë zbarkuar disa herë forcat speciale RENEA dhe drejtuesit më të lartë të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme.
Prokurori i Përgjithshëm u kërkoi prokurorëve që po hetojnë këto krime dhe raste të tjera që të kërkojnë mbështetjen e të gjitha strukturave shtetërore.
Tv Klan