Ura Vajgurore është topinimi i një qyteze të vogël, që emrin e ka marrë në kohën e shfrytëzimit të zonave naftëmbajtëse të Kuçovës, nga kompanitë italiane, rreth një shekull më parë, për t’u zyrtarizuar në vitin 1947. Por tashmë drejtuesit e Bashkisë së vogël kanë vendosur të braktisin këtë emër. Një ide e hershme, që ky vendbanim të ishte trashëgimtar i një qyteti ilir, që është themeluar në shekullin e 4 Para Erës Sonë, ka triumfuar dhe të premten Ura Vajgurore do të quhet zyrtarisht Dimal.
Këto janë rrënojat e qytetit ilir të Dimalit. Qyteti ilir është ndërtuar në shekullin e IV Para Erës Sonë dhe shtrihet në një sipërfaqe 14-20 hektarë.
Sipas studiuesve, “qyteti ka qenë i fortifikuar, pikë mbrojtëse për qytetin e madh të Apolonisë. Mendohet që ka pasur dy baza ushtarake, nga të cilat është zbuluar vetëm ajo në perëndim të Akropolit, tjetra mendohet të jetë në anën veriore. Dimali ka qenë në juridiksionin e mbretërisë Ilire. Kulmin e lulëzimit e ka pasur në gjysmën e shek. III Para Erës Sonë”.
Janë të shumtë autorët antikë dhe të dhënat që flasin për rëndësinë që Dimali pati për kohën. Në luftën e dytë iliro-romake që filloi në vitin 219 Para Erës Sonë, Dimali ishte qyteti i parë që u sulmua. Polibi, autor antik, shkruan se “komandanti romak Luc Emili, kur arriti me ushtri në Iliri vuri re se ilirët mburreshin me fortifikimin dhe pajisjen e Dimalit që pandehej si një qytet që se merrte dot dora e armikut, prandaj vendosi ta sulmojë dhe pas shtate ditë luftimesh e pushtoj atë”. Nën pushtime të ndryshme, mes maqedonasve dhe romakëve, qytetit iu deshën katër shekuj pushtime dhe shkatërrime, që të zbrazej tërësisht nga banorët dhe t’i përkiste përfundimisht historisë.
Gërmimet arkeologjike që nisën në vitin 1963 nga Instituti i Arkeologjisë dhe vijuan deri në vitin 1974, nxorën në dritë fakte të çmuara për këtë qytet, i cili prej shekujsh flinte në kodrën e fshatit Krotinë.
Ndryshimi i emrit nga bashkia është një nismë që pret ta njehsojë qytetin me historinë antike dhe për ta shndërruar atë në një destinacion të turizmit kulturor dhe historik.
Klan Plus