Rusia po planifikon që të shkëputet pjesërisht nga interneti, që do të thotë se kalimi i të dhënave të qytetarëve do të qëndrojë brenda vendit dhe jo të jetë pjesë e serverave ndërkombëtarë.
Projektligji që parashikon ndryshime teknike për të qenë i pavarur nga pjesë tjetër e botës u prezantua në Parlamentin rus vitin e kaluar, ndërsa një test pritet të bëhet para datës 1 Prill, por nuk është përcaktuar saktësisht se kur. Ky projektligj quhet Programi Kombëtar i Ekonomisë Dixhitale dhe synon që Rusia të jetë në gjendje të përdorë internetin nëse serverat ndërkombëtarë bllokohen, raporton BBC. NATO dhe vendet aleate kanë kërcënuar Rusinë për vendosjen e sanksioneve për shkak të sulmeve të saj kibernetike.
Por, me këtë projektligj, Rusia do të ndërtojë sistemin e saj të rrjetit, të njohur si DNS, duke i dhënë vetes pavarësi nga serverat ndërkombëtarë. Aktualisht janë 12 organizata që mbikëqyrin serverat e DNS dhe asnjë prej tyre nuk është në Rusi. Qeveria ruse planifikon që i gjithë trafiku i brendshëm i aktivitetit online të Rusisë të mbetet brenda vendit, një lloj mënyre kjo për të krijuar një sistem censure e ngjashme me atë të Kinës, qeveria e së cilës ndalon hapjen e faqeve të caktuara dhe kontrollon gjithë aktivitetin online brenda vendit.
Në Rusi ky projektligj po mbështetet nga zyrat e teknologjisë, por këto të fundit ndahen vetëm për mënyrën se si do të realizohet pavarësia e pjesshme nga interneti global. Megjithatë, qeveria ka parashikuar fonde për të ndërtuar infrastrukturën e duhur për këto ndryshime dhe paraprakisht do të bëhen disa teste.
/tvklan.al