Kryeqyteti i Timur Lengut, qendra e një perandorie që shtrihej nga Kina deri në Greqi, vendi ku Omaj Kajami shkruajti disa nga poezitë e tij të famshme, ku Nastradini ju dha jetë barcaletave thumbuese dhe ku lindi Aladini i përrallës mahnitëse me llampën dhe xhindin, një nga qytetet më të rëndësishëm të globit, sot, krejt i harruar dhe i izoluar, Samarkand, ngjan ashtu si shumica e vizitorëve e imagjinojnë. Si një qytet i dalë nga përrallat e “1001 netëve”.

Në zemër të Azisë qendrore, në një pjesë dikur periferike të Rusisë Cariste dhe Bashkimit Sovjetik, Samarkandi ka mbetur dëshmia më e mirë e shkëlqimit Mongolo-Turk dhe e kulturës së jashtëzakonshme osmane. I mbyllur për dhjetëra vjet, ai ka hapur dyer për turistët kryesisht nga viti 2018, duke u bërë me afro 2 milionë turistë në vit në një qytetet më të vizituara të globit. Një qytet plot kolorit, ku kanë kaluar dhe lënë gjurmën e tyre, kulturat më të rëndësishme të globit. Sot, ai është një qytet që mund të vizitohet lehtë.

Udhëtimi nga Tirana në Samarkand zgjat afro 7 orë pa llogaritur një tranzit në mes. Rruga më e mirë është ajo që kalon përmes Stambollit. Turkisht Airlines ka fluturim të përditshëm që lidh direkt, Kryeqytetin e Turqisë, me ish kryeqytetin e famshëm mongolo-turk. Udhëtimi zgjat thuajse 5 orë dhe mbërritja në Samarkand është llogaritur për në orët e para të mëngjesit

Në orët e para të mëngjesit qyteti është ende i qetë. Me rrugët e gjera dhe parqet gjigandë, si thuajse shumica e ish qyteteve sovjetike. Turizmi ka qenë thuajse i ndaluar në këtë vend prej dekadash dhe dyndja e dy viteve të fundit, përballohet duke kthyer në shtëpi e guest house, pothuajse çdo mundësi. Si kjo e jona, një shtëpi e shndërruar në hotel, që ruan po atë oborr me pemë frutore dhe po atë stil familjar. Madje edhe mëngjesin, që gatuhet, si çdo gjë në qytet, nga të zotët e shtëpisë.

Hoteli është vetëm 5 minuta në këmbë nga një prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit dhe të historisë botërore, Mouzaleumit, ose varrit të Timur Lengut. Timur Lengu, lindi po në Uzbekistan, në një familje turke, por ai ringjalli lavdinë e perandorisë Mongole të Çengis Khanit. Jetoi në shëkullin e VIV dhe ndërtoi një perandori që përfshinte 27 vende të sotme, në Kina në Greqi. Ai mundi sulltanin e Delhit në Indi, Mamlukët në Egjipt dhe Perandorinë Osmane, duke u bërë sa ishte gjallë, konkuistatori më i rëndësishëm i Fesë Islame. Në kulmin e fuqisë së tij u vendos në Samarkand, duke e bërë qytetin jo vetëm qendrën e fuqisë së tij, por qendrën më të rëndësishme islame të kulturës, shkencës dhe studimit të fesë. Një qytet që qëndronte në një radhë më të rëndësishmit e kohës, por që sot është thuajse i harruar.

Tumir Lengu është ndër njerëzit më të rëndësishëm të historisë botërore. Turqit e quajnë Amir Timur, mongolët Timur Khan. Ai vetë i mbajti të dy emrat, si edhe skeptrin e luftëtarit të pamposhtur, derisa vdekja e mori gjatë një fushate, në vitin 1405, pas 35 vitesh mbretërim.

E varrosën në këtë vend që e kishte lënë amanet, Gur e Amir, një mouzaleum mahnitës, i stilit persian, ku prehen edhe djemtë e tij. Një mouzaleum që do të frymëzonte një nga monumentet më të bukura të globit, një nga shtatë mrekullitë moderne të botës, Taxh Mahalin.

Mouzaleu mban pak a shumë formën që ka pasur dikur. Kur rusët pushtuan qytetin më 1868 ata shembën thuajse 75 % të zonave të ndërtuara në shkëlqimin e tij. Pallatet shekullore u bënë gërmadha, por kur mbërritën në varrin e Timurit, siç thotë legjenda, komandantët cariste u stepën nga energjia që përballën brenda tij. Një korrier u nis për tek Perandori, që urdhëroi që asgjë tjetër të mos prekej më në qytet. I pari varri i Timur Lengut. Sipas gojëdhënave, ai shef që do të shkatërronte varrin do të përballej shpejt me një fatkeqësi. Cari i besonte gojëdhënave.

Por duket se Stalini nuk pyeste për to. Në Prill 1941, me urdhër të tij, Varri i Timurit u hap dhe eshtrat e tij u dërguan për analiza në Moskë. Si për përmbushej bestytnia e vjetër, 2 muaj më pas, në qershor 1941, Bashkimi Sovjetik u sulmua nga Gjermania naziste. Stalini besoj u pendua për kurajon e tij. Një vit më pas eshtrat u rikthyen në vendin e tyre dhe po ashtu edhe fati i luftës së dytë botërore.

Nuk dihet nëse vendasit e besojnë ende këtë legjendë. Por sot, ajo është një nga gjerat që tërheq më shumë turistët e huaj, në një vend, që po mundohet të ndërtojë të ardhmen, duke vënë në punë të shkuarën e tij. Qyteti ka rreth 500 mijë banorë dhe është një vend tejet i qetë dhe mikpritës./tvklan.al