Pak ditë më parë, Cindy Marina ndau një video në rrjetet sociale që na befasoi të gjithëve: modelja po parakalonte në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia. Për të kjo ishte një ëndërr e realizuar, edhe pse gjithçka erdhi krejt papritur.
Ajo u gjend mes yjeve më të mëdhenj si George Clooney, Angelina Jolie, Brad Pitt, Joaquin Phoenix, Richard Gere apo Lady Gaga në një mbrëmje të vërtetë plot emocione. Pyetjes sesi u gjend aty, ajo i jep përgjigje në programin “Rudina” në Tv Klan duke ndarë të gjithë rrugëtimin.
Cindy Marina: Para se të shkoja në festival, isha duke u bërë gati dhe në fakt kisha fatin të bashkëpunoja edhe me shqiptarë që jetonin në Venecia dhe njëra njihte një fotografe që më ofroi një set fotografik që bëmë te kanali Grand, ishte shumë e bukur dhe pastaj fotot e tjera në tapet ishin nga mijëra fotografë që ishin rreth e rrotull që ishin pjesë e festivalit, pjesë e stafit. Vërtet kam përjetuar emocione shumë të bukura, në fakt emocione të reja për mua sepse nuk kisha marrë pjesë në një gjë të tillë kaq të madhe dhe kaq prestigjioze më parë.
Në videon që Cindy postoi, mund të shihen edhe blicat e aparatëve që nuk reshtin asnjë moment. Modelja tregon se nuk e priste që t’i dinin emrin dhe ishte një surprizë e vërtetë, ndërsa pati mundësinë të përjetonte emocione si t’i përkiste asaj bote.
Cindy Marina: Qindra fotografë dhe të gjithë thërrisnin emrin, unë u habita që ma dinin emrin. Thoshin Cindy, Cindy dhe në një moment nervozoheshin nëse nuk i shihje sepse të gjithë donin të kapnin foton e tyre dhe ishte shumë e bukur. Unë përjetova ato emocionet sikur isha unë një nga ato yjet e Hollyëood, edhe pse isha thjesht e ftuar për të parë filmin, por është një emocion i veçantë dhe të gjithë aty ishin ose aktorë që kanë marrë pjesë në filmat që po prezantoheshin në Festivalin e Venecias ose ishin të ftuar. Unë isha një nga këta të ftuarit, nuk ishim shumë me thënë të drejtën por ishte bukur sepse nuk na ndanin që aktorët të shkonin në një moment./tvklan.al