Çmimet e konsumit në vend për muajin Korrik edhe pse me një rritje të lehtë kanë mbetur në të njëjtat vlera me ato të Qershorit në 2.1%, sipas publikimit më të fundit të Institutit të Statistikave.
Megjithatë referuar shifrave zyrtare inflacioni mbetet në nivelet më të ulëta që prej Qershorit të vitit 2021.
INSTAT bën të ditur se rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,68%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,43%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “peshk” patën një rritje me 5,4%, pasuar nga nëngrupet “Qumësht, djathë dhe vezë” me 3,5%, ndërsa me 3,4% grupi “Zarzavate përfshirë patatet”.
Që nga muaji Shkurt i këtij viti, niveli i inflacionit mbetet poshtë objektivit të të Bankës së Shqipërisë prej 3%, pas rritjes së lartë që shënoi dy vitet e mëparshme për shkak të pasojave nga konflikti në Ukrainë.
Duke pare indikatorët pozitivë të ekonomisë, në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë normën bazë të pandryshuar në 3%, instrument kryesor që banka qendrore përdor për kontrollin e inflacionit.
Sipas Guvernatorit, Gent Sejko vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni në rënie, ecuri e cila tregon se ekonomia shqiptare po rikuperohet, duke lënë pas pasojat e goditjes nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë viteve 2022-2023.
Klan News