Hyrja në fuqi e marrëveshjes për emigrantët mes Italisë e Shqipërisë po ndiqet me vëmendjen në median ndërkombëtare. Televizioni amerikan CNN, në një material të gjatë, thotë se protokolli italo-shqiptar do të sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm në trajtimin e krizës së migracionit në Mesdhe.
CNN citon kryeministren italiane Giorgia Meloni, teksa thotë se protokolli dypalësh i nënshkruan me homologun shqiptar Edi Rama nëntorin e kaluar, synon të jetë pengesë për emigrantët që përpiqen të mbërrijnë në Europë në mënyrë të paligjshme.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, do të ketë monitorues të përhershëm në qendra për tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes, për të siguruar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut, i tha CNN-it të martën Filippo Ungaro, zëdhënësi i UNHCR-së për Italinë.
“UNHCR-ja nuk ishte pjesë e negociatave fillestare apo gjatë hartimit të protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë, por ka rënë dakord të kryejë këtë rol monitorues për të ndihmuar që ky protokolli të zbatohet në një mënyrë që të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e azilkërkuesve.”
“Stafi i UNHCR-së do të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe mundësi për të vëzhguar fazat e ndryshme të këtij procesi dhe po ashtu të shqyrtojë procedurat e identifikimit, shqyrtimit dhe vlerësimit të cenueshmërisë së të drejtave të tyre. Ata gjithashtu do të monitorojnë trajtimin e personave të zhvendosur dhe kushtet e azilkërkuesve që do të zhvendosen në këto qendra.”
Në fund të periudhës fillestare tremujore, UNHCR-ja do të bëjë vlerësime dhe rekomandime që do të jenë në dispozicion të publikut, shtoi zëdhënësi. Skema po shihet me interes edhe nga vende të tjera europiane.
Sipas statistikave të qeverisë italiane dhe UNHCR-së, nga portet e Afrikës së Veriut që nga viti 2014, janë nisur drejt Italisë mbi 1 milion emigrantë. Mbi 30,500 kanë vdekur ose janë zhdukur në të njëjtën rrugë, citon CNN Organizatën Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin.
Klan News