Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka njoftuar se do të marrë pjesë në rihapjen e katedrales Notre-Dame, në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Është një nder të njoftoj se do të udhëtoj në Paris, Francë, të shtunën për të marrë pjesë në rihapjen e katedrales madhështore dhe historike Notre Dame, e cila është restauruar plotësisht pas një zjarri shkatërrues pesë vjet më pare. Presidenti Emmanuel Macron ka bërë një punë të mrekullueshme duke siguruar që Notre Dame të jetë rikthyer në nivelin e saj të plotë të lavdisë. Do të jetë një ditë shumë e veçantë për të gjithë,” tha Donald Trump.

Kryevepra gotike e shekullit të XII-të, e cila u dëmtua rëndë nga zjarri në vitin 2019 do të rihapë dyert për vizitorët dhe besimtarët katolikë të shtunën dhe të dielën. Presidenti francez Emmanuel Macron e ka krahasuar me shërimin e një “plage” kombëtare. Dhjetra liderë botërorë pritet të marrin pjesë.

CNN raporton se Macron po planifikonte të ftonte Trump dhe Elon Musk në Paris për një samit mbi inteligjencën artificiale në fillim të shkurtit. Në 2019 Trump e cilësoi shumë të tmerrshme zjarrin që përfshiu Katedralen Notre Dame në Paris.

Restaurimi i katedrales u financua nga donatorë nga 150 vende dhe kushtoi afro 700 milionë euro. Rihapja e katedrales do të shënojë kulmin e finalizimit të një projekti titanik të restaurimit, por kjo nuk do të thotë se puna në katedrale ka përfunduar. Një fond prej 140 milionë euro do të përdoret për “Fazën 3” të restaurimit që fillon vitin e ardhshëm.  

Klan News