Djali i ish-Kryeministrit të Greqisë Alexis Tsipras, ka rezultuar pozitiv ndaj testit të koronavirusit Covid-19. Për këtë arsye, Tsipras dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij janë karantinuar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i partisë SYRIZA në një postim në Facebook.

“Koronavirusi vizitoi shtëpinë tonë sot. Mbrëmjen e kaluar, djali ynë Orfeo shfaqi simptoma të lehta”.

Megjithatë, Tsipras, bashkëshortja dhe djali tjetër rezultuan negativ pas testeve që kryen.

“Ne bëmë testin në mëngjes dhe mësuam rezultatet. Unë, Beti dhe Fivos dolëm negativ”.

Ish-Kryeministri grek Tsipras e ka bërë vaksinën anti-covid, por sidoqoftë duhet të qëndrojë i izoluar.

“Sipas mjekëve, megjithëse i kam bërë të dyja dozat e vaksinës, nuk ka kaluar kohë e nevojshme që të jem plotësisht imun dhe në çdo rast duhet të qëndroj në shtëpi në mënyrë që të shmanget çdo transmetim i mëtejshëm”, është shprehur Alexis Tsipras. /tvklan.al