Është e lehtë të bindesh për të vizituar një destinacion magjepsës bazuar vetëm në fotot e bukura që postohen në media sociale, por shpesh vendet më të vlerësuara janë të tejmbushura me turistë.
Kështu e nis shkrimin gazetarja Emily Lefroy në të përditshmen britanike “Daily Mail” që rendit vendet që ja vlen të vizitohen këtë verë.
Një përdorues i platformës “Reddit” organizoi sondazhin: “Cili vend duhet vizituar këtë vit?” dhe zbuloi përmes përgjigjeve të komentuesve destinacionet e tyre të preferuara për të udhëtuar këtë verë.
Përdoruesit e këtij forumi ndanë përvojat e tyre të pushimeve në vendet më pak të njohura duke u bërë thirrje udhëtarëve t’i vizitonin ato. Shqipëria është rekomanduar si një nga perlat e fshehura që premton bukurinë e një lokacioni të famshëm në Instagram pa dyndje vizitorësh.
Tabloidi britanik e vlerëson Shqipërinë për plazhet e bukura dhe Bjeshkët e Nemuna, të cilat janë një varg malor spektakolar në veri të vendit.
Thekson se vendasit janë shumë të ngrohtë dhe mikpritës, plazhet janë të mahnitshme dhe ushqimi është një ndërthurje e shijeve greke, turke dhe italiane.
Destinacioni mesdhetar është super i përballueshëm dhe ofron një mot të ngrohtë dhe të favorshëm.
Në fund të shkrimit u rekomandon lexuesve që të mos humbasin kohë, por ta vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt që të jetë e mundur përpara se ky destinacion të preket nga turizmi masiv, pasi influencuesit në Instagram vazhdojnë ta bëjnë të njohur dhe të promovojnë këtë perlë në sytë e gjithë botës.
Klan News