U ndalua teksa përpiqej të arratisej
Siç shihet edhe në pamje ai ka qenë i veshur me një bluze me krahë të shkurtra dhe me një jelek jeshil, ndërsa në kokë mban një kapele të kuqe. Me pranga në duar ai mbërrin në garazhin e policisë dhe më pas shoqërohet për në ambientet e brendshme të saj.
Në një njoftim, policia spanjolle bën të ditur se autoritetet shqiptare kishin këmbëngulur për trajtimin me prioritet në lokalizimin dhe arrestimin e Berishës. Pas informacioneve të dërguara nga pala shqiptare, homologët spanjollë përqendruan kërkimin në bregdetin e Levantes.
Gjatë survejimit, agjentët zbuluan dhe bashkëpunëtorin e Lulzim Berishës, i cili do ta ndihmonte për ta dërguar në një vend tjetër.
I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare, ndërsa më parë ka qenë dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu.
4 vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia për pjesmarrje në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Tv Klan