Këto janë pamjet e e dhunimit të 48-vjeçarit, Adriatik Rroshi pasditen e 5 Janarit në një berberhane në rrugën “29 Nëntori” në Tiranë.

Video e siguruar është fiksuar nga kamerat e biznesit ku ndodhej i dëmtuari, i cili ra pre e dhunës me sende të forta nga 4 persona. E gjithë ngjarja zhvillohet në pak sekonda me autorët të cilët futen në berberhane të maskuar teksa i dëmtuari qëndron në banak.

Siç shihet në pamje njëri prej tyre mban në dorë një armë zjarri, një tjetër sëpatë, ndërsa dy të tjerët levë dhe një shkop druri. Sapo shquajnë 48-vjeçarin fillimsht ata e tërheqin nga vendi ku po qëndron dhe më pas nisin ta godasin në mënyrë të vazhdueshme në pak sekonda.

Pasi e godasin vazhdimisht, 2 nga autorët largohen ndërsa dy të tjerët që në duar kanë sëpatë dhe një shkop druri vijojnë të qëllojnë ndaj tij teksa ndodhet i gjakosur në tokë.

Për ngjarjen policia ka vënë në pranga 2 persona, të identifikuar si Gani Koçeku dhe Ledio Tusha ndërsa ka shpallur në kërkim 4 të tjerë, mes të cilëve dy organizatorët e dyshuar Luçiano dhe Dino Koçeku. Nga hetimet e deritanishme policia thotë se ngjarja është regjistruar pas një konflikti për motive të dobëta të ndodhur pak muaj më parë në ambjentet e një lokali në jug të vendit.

Tv Klan