Michelle Biring Pani është një amerikane e cila është martuar me një djalë shqiptar dhe tani po jetojnë këtu bashkë me dy vajzat. Në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ajo tregon se u njohën në universitet, në Çikago, Illinois dhe më vonë vendosën që të jetonin në Shqipëri.

Michelle thotë se vështirësia e parë që ka hasur ishte gjuha. Megjithatë, në Shqipëri i pëlqen shumë fakti që ke mundësi për të bërë një jetë sociale dhe kaluar më shumë kohë me njerëzit.

Aldo: Cila ishin dallimet më të mëdha që ke vënë re mes Çikagos dhe jetës në Shqipëri?

Michelle Biring Pani: Shumë gjëra. Gjuhën, e para. Gjuha është shumë e vështirë. Jemi më shumë socialë  këtu në Shqipëri.

Aldo: Vërtet?

Michelle Biring Pani: Shkojmë takojmë njerëz, pijmë kafe më shumë. Kafe pijmë atje, por kultura është ndryshe. E marrim me vete dhe bëjmë gjëra të tjera.

Aldo: Cila është një gjë shqiptare që të ka pëlqyer menjëherë dhe që tani ti ke bërë pjesë të jetës tënde.

Michelle Biring Pani: Pijmë kafe me njerëz, kjo besoj. Dalim, pijmë kafe më shumë, nuk e bëjmë dot në SHBA.

Aldo: Ju keni  bërë dasmë, jeni martuar këtu?

Michelle Biring Pani: Jo, jemi martuar në Kanada. Është një histori e gjatë.

Aldo: Po si, me një burrë nga Shqipëria, u martuat në Kanada?

Michelle Biring Pani: Ai filloi një punë atje në Kanada dhe unë shkova atje e u martuam atje.

Duke qëndruar edhe pak më gjatë te gjuha, Michelle thekson se e pati të vështirë për shkak të gramatikës dhe iu desh të punonte shumë,  por tani ka mësuar edhe disa shprehje të përditshme.

Aldo: Po shprehje popullore ke mësuar?

Michelle Biring Pani: Disa.

Aldo: Shprehja më kuptimplotë për ty popullore, që ke mësuar në shqip?

Michelle Biring Pani: Një që kemi diskutuar ishte “kismet”. Dy javë më përpara kemi folur për fjalën “kismet”.

Aldo: S’është as shqip, është turqisht.

Michelle Biring Pani: Është pak e çuditshme, njerëzit thonë “kismet” për planet dhe aty në Amerikë,  kur bëjmë plan, bëjmë  plan. Këtu në Shqipëri, takohemi nesër, “kismet”. 

Festat e gëzimet familjare i duken shumë argëtuese, madje veçon vallen e preferuar. Ajo vlerëson edhe gatimet shqiptare duke zbuluar se ka provuar edhe vetë në kuzhinë, por s’ia ka dalë mbanë.

Michelle Biring Pani: Është shumë qejf. Unë kam shumë qejf vallet. Vallen e Tropojës e kam shumë qejf.

Aldo: Po sa u përket gatimeve shqiptare?

Michelle Biring Pani: Është shumë i mirë. I kam shumë qejf gjellët.

Aldo: Ti vetë ke mësuar të gatuash ndonjë recetë?

Michelle Biring Pani: Jo, përpiqem por nuk afrohem. Mashurkat i kam  provuar, këto i bëj. Kam provuar byrek, por nuk e bëj dot. Më vjen shumë keq se e kam shumë qejf./tvklan.al