Aktorja belge Émilie Dequenne ka ndërruar jetë në moshën 43-vjeçare pas thuajse dy vitesh që njoftoi se ishte diagnostikuar me një lloj të rrallë kanceri.

Ylli i kinemasë që fitoi çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Kanës për debutimin në filmin “Rosetta” kur ishte vetëm 17 vjeçe, konfirmoi në tetor 2023 se ishte diagnostikuar me karcinomë adrenokortikale, një lloj kanceri i gjëndrës mbiveshkore.

Familja dhe agjenti i saj e kanë konfirmuar lajmin e trishtë për AFP.

Në prill të 2024-ës, Dequenne tha se sëmundja  po bënte regres dhe planifikonte t’i rikthehej aktrimit.

“Thuajse harrova sepse sot po dilja nga spitali pas 13 ditësh…  çfarë beteje e vështirë”, shkruante ajo në rrjetet sociale.

Disa muaj më vonë, sëmundja përparoi sërish dhe deklarata e radhës nuk qe optimiste. “E di që nuk do  të jetoj aq gjatë sa mendoja”, tha ajo për programin TF1.

Dequenne u bë e njohur me filmin “Rosetta” dhe më pas në projekte  të tjera filmike franceze si “The Girl On The Train” apo “Our Children”. Ajo luajti në 8 episode të serialit “The Missing” nga BBC.

Në vitin 2024, ajo u rikthye në Festivalin e Kanës për të festuar 25-vjetorin e “Rosetta” dhe filmit të saj të fundit, “Survive”.

Dequenne ka lënë pas bashkëshortin, Michel Ferracci dhe dy vajza./tvklan.al