Pas tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut ku humbën jetën 59 persona, e numri i të plagosurve arriti të paktën 155, kryetari i kësaj bashkie ka dhënë dorëheqjen mesditën e sotme.
Lajmi konfirmohet nga vetë ai, Lupçjo Papazov, përmes një postimi të gjatë në llogarinë e tij “Facebook”.
Papazov shkruan se kjo tragjedi ka sjellë momente shumë të vështira për Maqedoninë e Veriut, teksa në fjalë të tjera u shpreh se është e udhës për të dhënë dorëheqjen, pasi humbja është e madhe.
Po kështu, thirrje të veçantë i bëri organit të akuzës që të zhvillojë hetime edhe ndaj tij në rast se vihen re përgjegjësi të mundshme të tij si kryebashkiak për këtë tragjedi.
Ai shkruan me dhimbje se i lutet Zotit për shpirtrat e të gjithë viktimave, familjeve, të tyre, pasi Papazov i njihte dhe i kishte si fëmijët e tij, siç u shpreh ai në postim.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Në këto momente të vështira për shtetin tonë dhe për mua personalisht, dua të deklaroj se po jap dorëheqjen si Kryetar i Koçanit.
Humbja është e madhe.
Nuk ka fjalë që mund të përshkruajë dhimbjen që po ndjejmë të gjithë. Shumë nga fëmijët i njihja, familjet e tyre, e disa prej tyre janë miq të familjes sime.
Shoku dhe zemërthyerja që ndjej do të më ndjekë përgjatë gjithë jetës. Tragjedia la Koçanin dhe Maqedoninë në errësirë, dhe boshllëku që la pas nuk mund të mbushët kurrë.
I bëj kërkesën të gjitha institucioneve të ekzaminojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve. Edhe mosveprimi është gjithashtu një përgjegjësi. Çdo detaj duhet investiguar, të gjitha boshllëqet duhet gjetur, dhe çdo person që ka kontribuar në këtë tragjedi duhet të përballet me pasojat. Jam plotësisht në dispozicion të institucioneve. Edhe pse me ligj unë nuk kisha juridiksion të drejtpërdrejtë në këtë çështje, jam i gatshëm që t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve për çdo gjë, sikurse dhe procedurat e mia personale.
Asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë dhimbjen time. Por, në këto momente, ne duhet të tregojmë virtyte, të manifestojmë të gjithë përgjegjësinë, e të tregojmë një diferencë në mënyrën se si ne sillemi. Me sjelljen tonë, duhet të tregojmë shembull se si ne po i rezistojmë një sistemi që nuk funksionon. Nëse ka ndonjë bazë që tregon përgjegjësi për mua, i bëj thirrje Prokurorisë që ta shqyrtojë atë dhe të veprojë në bazë të ligjit.
Për mua, pas kësaj tragjedie, asgjë nuk është si më parë! Ata ishin fëmijët tanë! Shumë, e me të drejtë, vënë re se përse unë nuk dola në publik gjithë ditës së djeshme. Por ata që më njohin, e dinë se sa i vrarë jam dhe se si po e kaloj këtë gjë që ndodhi. Është e vështirë, dhe me shumë vështirësi do e mbijetoj këtë.
Kam punuar me ndershmëri dhe dedikim përgjatë gjithë jetës sime!
Kurrë nuk e mendoja se kështu do përfundonte përfshirja ime, e se tashmë po zbres nga ky pozicion, duke i lutur Zotit për shpirtrat e fëmijëve tanë, familjeve të tyre dhe njerëzve të Maqedonisë.
/tvklan.al