Dashuria nuk ndryshon kurrë si ndjenjë duke qenë kaq universale sa të përfshijë këdo, por forma e të shprehurit të saj është shndërruar nga një gjeneratë në tjetrën. Për shembull, të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” tregojnë se i mbajnë kontaktet përmes rrjeteve sociale, ndërsa gjatë historive që janë prezantuar herë pas herë në rubrikat e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, kemi dëshmi edhe të moshave të ndryshme për njohjet që kanë nisur online.

Për gjeneratën “baby boomers” ose atë të gjyshërve apo prindërve tanë, dashuria ka qenë ndryshe. Dea, një nga zonjat e publikut të programit ka rrëfyer historinë e saj me bashkëshortin, por edhe si vepronin asokohe për t’u njohur e takuar. Ajo ndan këndvështrimin e saj për lidhjet e të rinjve, ku nuk mungojnë reagimet tipike të gjysheve, shoqëruar me një këshillë.

Dea: Dashuria në kohën tonë ka qenë shumë e bukur. Kishe qejf të dilje, të gjezdisje, ku të shkonim, ku të gjezdisnim, por çdo gjë e bënim fshehtas që mos të shihte as vëllai, as babai, as nëna kurse tani ka dalë sheshit çdo gjë. Unë me bashkëshortin tim kam qenë në një punë. Kemi punuar bashkë kështu që dashurinë e kemi pasur shumë të pastër dhe shumë të  bukur.

-Bukur, bukur po a kanë dashuri të rinjtë sot?

Dea: Ku ka dashuri 15 vjeç, 16 vjeç?! Po tani këta po dashurohen që 13, që në 9-vjeçare po dashurohen.  Të më thotë mbesa mua që ky është i dashuri im, mua më ra pika! 16 vjeç! Jo,në asnjë mënyrë nuk e pranoj! Kur ishe në atë kohë, nëpër ditëlindje, dilnim një xhiro, nëpër lokale, shkonim hanim një akullore, ndonjë ëmbëlsirë kurse tani këta e kanë mendjen vetëm te telefoni duke bërë ‘selfie’, Instagram, çfarë nuk hedhin, çfarë nuk shikojnë…

-Po të rinjtë sot dashurohen online…

Dea: Po telefonat i prishën fëmijët tani. Pale kur fejohen kështu me telefon që shihen aty, takohen e dashurohen, dalin pastaj kur e shohin atje, u si qenka ky sa i shëmtuar! Prandaj njeriu duhet të mendohet mirë kur të vendosë. U bëj thirrje gjithë të rinjve që të dashurojnë sepse nuk është frikë dhe turp të dashurosh, por ama me kujdes./tvklan.al